Senatorja australiane e ekstremit të djathtë, Pauline Hanson, u shfaq në parlament e veshur me burka, në një përpjekje për të nxitur ndalimin e mbulesës myslimane në publik, duke marrë kritika nga senatorët myslimanë të cilët e akuzuan atë për racizëm.
Hanson e veshi burkën menjëherë pasi iu mohua leja për të prezantuar legjislacionin që do të ndalonte burkën dhe mbulesat e tjera që mbulojnë të gjithë fytyrën në publik në Australi. Ishte hera e dytë që Hanson mbulonte plotësisht fytyrën, me veshjen e përdorur nga gratë myslimane, në parlament, në përpjekjen e saj për ta ndaluar atë në publik.
Senati reagoi me zemërim kur Hanson hyri në sallë e veshur me burkë, dhe seanca u pezullua kur ajo refuzoi ta hiqte atë.
“Kjo senatore është raciste e hapur”, tha Mehreen Farooqui, një senatore myslimane e të Gjelbërve nga shteti i Uellsit të Ri Jugor. Nga ana e saj, Fatima Paiman, një deputete e pavarur myslimane nga shteti i Australisë Perëndimore, e quajti veprimin e Hanson “të turpshëm”. Si Penny Wong, udhëheqësja e partisë së majtë të qendrës në pushtet në Senat, ashtu edhe Anne Ruston, zëvendëskryetarja e opozitës, e dënuan veprimin.
Wong e quajti sjelljen e Hanson “të papërshtatshme për një senatore” dhe paraqiti një mocion për ta larguar atë nga dhoma për shkak se nuk e hoqi burkën kur iu kërkua. Pasi Hanson refuzoi të largohej, seanca u ndërpre.
Hanson, një senatore e Queensland, u bë e famshme në vitet 1990 për kundërshtimin e saj të ashpër ndaj imigracionit aziatik dhe azilkërkuesve. Ajo ka qenë prej kohësh kundërshtare e veshjes myslimane dhe veshi përsëri një burkë në parlament në vitin 2017, duke bërë thirrje për një ndalim kombëtar.
Partia ‘Një Komb’ tani mban katër vende në Senat, duke rritur pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e majit, mes një rritjeje të politikave të ekstremit të djathtë dhe anti-imigracion në Australi.
Në një postim në Facebook pas incidentit, Hanson tha se veprimi i saj ishte një akt proteste sepse Senati e hodhi poshtë projektligjin e saj. “Nëse parlamenti nuk e ndalon, atëherë unë do ta vesh këtë veshje radikale, shtypëse dhe jo-fetare, e cila rrezikon sigurinë kombëtare dhe të drejtat e grave, brenda vetë parlamentit, në mënyrë që çdo australian të kuptojë se çfarë ‘luhet’. Nëse nuk duan që unë ta vesh – ndaloni burkën”.
Top Channel



























