Përplasjet mes fermerëve dhe forcave të rendit shënuan sot ditën e dytë të protestave të mëdha në Greqi.
Në Nikaia të Larissës, turma e protestuesve u përlesh me policinë, ndërsa gjatë përpjekjes së tyre për të përmbysur një autobus të policisë, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës.
Dhjetëra kilometra më larg, në Malgara, 22 km nga Selaniku fermerët kaluan nga fushat për t’iu shmangur kordonëve policorë dhe arritën deri tek stacioni i pagesës së tarifave, duke bllokuar për orë të tëra autostradën Selanik–Athinë. Ndërkohë, bllokada të tjera mbeten aktive në Nikaia dhe në Kardhicë, ku qindra traktorë janë rreshtuar përgjatë boshtit qendror të vendit. Fermerët thonë se nuk do të bëjnë asnjë hap pas dhe akuzojnë qeverinë që përpiqet ti frikësojë mes përdorimit të dhunës dhe ndërhyrjes së njësive të rendit. Qendra e protestës është Larisa, ku mesditën e së hënës u mblodhën sërish qindra persona jashtë gjykatës, pas arrestimit të tre fermerëve .
“Nuk ka mbështetje për fermerët e bagëtive… 450,000 kafshë janë vrarë dhe nuk janë bërë vaksinime e nuk janë marrë masa thelbësore. Ne kërkojmë përgjegjësi të plotë politike dhe penale për skandalin… Jemi të vendosur, me qindra traktorë në Larisa dhe mijëra në të gjithë Greqinë në ditët në vijim, dhe do të fitojmë.”, shprehet Rizos Maroudas, President i Federatës së Shoqatave Bujqësore të Larissës.
Në qendër të zemërimit të bujqve është vonesa e pagesave të subvencioneve evropiane, me një mungesë të vlerësuar rreth 600 milionë euro, pas hetimeve për një skandal korrupsioni që ka tronditur agjencinë shtetërore OPEKEPE. Mbi 40 mijë aplikime të fermerëve janë sot nën verifikim, ndërsa autoritetet europiane dhe ato greke hetojnë mashtrimet e dyshuara për fonde bujqësore.
Fermerët paralajmërojnë për përshkallëzim të mëtejshëm të bllokadave nëse qeveria nuk ofron zgjidhje të menjëhershme. Për ta, situata ka kaluar nga një çështje ekonomike në një provë vendosmërie dhe sipas tyre, përgjigjja do të jepet në rrugë.
Top Channel



























