Japonia ka hedhur hapin e fundit për të rinisur funksionimin e centralit më të madh bërthamor në botë, Kashiwazaki-Kariwa, gati 15 vjet pas katastrofës së Fukushimës.
Vendimi u bë i mundur pasi asambleja e prefekturës Niigata miratoi një votë besimi për guvernatorin Hideyo Hanazumi, i cili mbështet rikthimin në punë të centralit. Ky votim i hap rrugë kompanisë TEPCO të nisë sërish operimin e reaktorëve.
Kashiwazaki-Kariwa, rreth 220 kilometra nga Tokio, ishte mbyllur pas tërmetit dhe cunamit të vitit 2011. Rikthimi i tij pritet të rrisë furnizimin me energji dhe të ulë varësinë e Japonisë nga karburantet fosile të importuara
Megjithatë, vendimi ka shkaktuar kundërshti të forta. Qindra protestues dolën në rrugë, ndërsa sondazhet tregojnë se shumica e banorëve të Niigatës mbeten të shqetësuar për sigurinë dhe për rolin e TEPCO-s, kompania që menaxhonte edhe centralin e Fukushimës.
Autoritetet japoneze theksojnë se masat e sigurisë janë forcuar, ndërsa qeveria e sheh energjinë bërthamore si kyçe për sigurinë energjetike dhe objektivat e dekarbonizimit deri në vitin 2040.
Top Channel



























