Charlize Theron bëri një zgjedhje elegante në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano/Cortina 2026, duke veshur një fustan të gjatë, i cili kishte një dekolte në formë zemre.
Aktorja dha një mesazh paqeje në San Siro në Milano, duke iu drejtuar publikut me fjalë shprese, në cilësinë e saj si ambasadore e paqes në OKB. Theron u shfaq me një fustan maxi të zi, i cili kishte një hapje në formë zemre në pjesën e gjoksit. Flokët e saj ishin të drejta, duke i nxjerrë në pah fytyrën, ndërsa pamja e saj kompletohej me vathë diamanti dhe një unazë në të njëjtin stil.
Në fjalimin e saj, Charlize Theron iu referua një mesazhi nga Nelson Mandela dhe ua përcolli atë sportistëve dhe spektatorëve nga çdo cep i botës, duke thënë: “Paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit. Paqja është krijimi i një mjedisi ku të gjithë mund të lulëzojnë, pavarësisht nga raca, ngjyra, besimi, feja, gjinia, klasa, kasta apo çdo shenjë tjetër shoqërore e diversitetit”.

Më pas ajo nënvizoi se “sot, ky mesazh duket më i rëndësishëm se kurrë” dhe i bëri thirrje audiencës t’i trajtojë Lojërat si diçka më shumë sesa një ngjarje sportive: “Le të jenë këto Lojëra diçka më shumë sesa sporte. Le të jenë një kujtesë për njerëzimin tonë të përbashkët, për respektin tonë për njëri-tjetrin dhe një thirrje e fortë për paqe kudo”.
Në të njëjtën ceremoni u shfaqën edhe fytyra të tjera të famshme, me Mariah Carey që performoi këngë dhe Andrea Bocelli që doli në skenë para shfaqjes së Theron, ndërsa Sabrina Impacciatore mori pjesë gjithashtu në një seksion kushtuar historisë së Lojërave Dimërore.
Top Channel


























