ATSH/ – Brad Arnold, vokalisti dhe anëtari themelues i grupit amerikan  3 Doors Down, është ndarë nga jeta në moshën 47-vjeçare pas një beteje me kancerin.

Sipas një deklarate të cituar nga Fox News Digital, Arnold “u shua në gjumë, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur, pas betejës së gjatë dhe të guximshme me kancerin”, të shtunën, më 7 shkurt.

Si vokalist, baterist i parë dhe një nga themeluesit e bandës, Arnold konsiderohet figura që i dha identitet tingullit të 3 Doors Down, duke kombinuar energjinë post-grunge me tekste të drejtpërdrejta emocionale që gjetën jehonë tek publiku i gjerë në SHBA dhe më tej.

Deklarata vlerëson veçanërisht talentin e tij të rrallë si autor këngësh, duke e cilësuar krijimtarinë e tij “një pikë referimi kulturore për një brez të tërë”. Hiti i tyre më i madh, “Kryptonite”, u shkrua nga Arnold “në orën e matematikës, kur ishte vetëm 15 vjeç”, kujtohet në njoftim. Muzika e tij, vijon deklarata, “kaloi shumë përtej skenës, duke krijuar momente lidhjeje, gëzimi, besimi dhe përjetimesh të përbashkëta që do të jetojnë gjatë, edhe pasi dritat e skenës janë fikur”.

Përtej suksesit muzikor, Arnold kujtohet si bashkëshort i përkushtuar dhe si një njeri i thjeshtë. Për miqtë dhe të afërmit, ai do të mbetet jo vetëm artisti me talent të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha njeriu me ngrohtësi, përulësi dhe dashuri të thellë për familjen dhe shoqërinë.