Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimin Evropian, Kaja Kallas, ka hedhur poshtë pretendimin se Evropa përballet me “zhdukje qytetërimi”, duke kundërshtuar kështu kritikat ndaj kontinentit nga administrata Trump.

Kallas e bëri deklaratën këtë të diel në Konferencën e Sigurisë në Mynih, një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dha një mesazh qetësues për aleatët evropianë.

Kallas gjatë fjalimit të saj iu referua kritikave në strategjinë e sigurisë kombëtare të SHBA-së, të publikuar në dhjetor.

Në dokument thuhej se Europa po dobësohet nga politikat e saj të emigracionit, rënia e normave të lindshmërisë, “censura e lirisë së shprehjes dhe shtypja e opozitës politike”, si dhe nga “humbja e identiteteve kombëtare dhe e vetëbesimit”.

“Në kundërshtim me atë që mund të thonë disa, Europa është e zgjuar dhe nuk po përballet me zhdukje qytetërimi. Në fakt, njerëzit ende duan t’i bashkohen Unionit dhe nuk e kam fjalën për vetëm evropianët e tjerë. Gjatë një vizite në Kanada vitin e kaluar shumë njerëz atje kishin interes për t’iu bashkuar BE-së”- tha Kallas.

Në fjalimin e tij në Mynih, Sekretari i Shtetit, Marko Rubio gjithsesi i zbuti tonet.

“Fundi i epokës transatlantike nuk është as qëllimi ynë dhe as dëshira jonë. Shtëpia jonë mund të jetë në hemisferën perëndimore, por ne gjithmonë do të jemi fëmijë të Evropës”.

 Ai e bëri të qartë se administrata Trump do të qëndrojë e palëkundur në çështje si migracioni, tregtia dhe klima.

Top Channel