Ekuacioni me shumë të panjohura i Covid-19 është larg zgjidhjes. Pas një kárantine të vendosur me shpejtësi dhe me rreptësi në vend, infeksioni që ka sjellë kaos mbarë botën, u duk se u vu në kontroll. Shqipëria arriti të kalonte fazën e parë të pandemisë, me një numër shumë të ulët vdèkjesh në raport me popullsinë. Por, hapja e qershorit, po aq e shpejtë sa mbyllja, tregoi se situata nuk ishte aq e lehtë. Numri i të infektuarve u rrit me shpejtësi dhe fatkeqësisht, edhe jetët e humbura po ashtu, teksa virusi tinëzar, i kombinuar me virozat e stinës, tregoi se mund të ishte sërish i rrezikshëm.

Përvoja tregoi se do të duhet të kalojmë të paktën dhe një cikël tjetër 10-javor, që e shtyn pandeminë me frekuencë të lartë deri nga mesi i gushtit. Shqipëria nuk i ka shpëtuar kësaj tendence, ku tkurrja pritet midis -5 deri në -9%, më e larta në rajon, për shkak të varësisë nga turizmi dhe modelit ekonomik të bazuar te bizneset e vogla, tregtia e shërbimet. Nga ana tjetër, me borxhin e lartë dhe të ardhurat e ulëta, financat kishin pak hapësirë fiskale për të mbështetur bizneset.

Ndonëse situata e koronavirusit është përkeqësuar dy javët e fundit, hapja ka vijuar dhe qeveria nuk duket se ka në konsideratë një mbyllje të dytë, e vetëdijshme se ekonomia nuk do të arrijë ta përballojë atë. Me situatën aktuale, financat presin që të ardhurat të bien me 15% me bazë vjetore në 2020-n, ndërkohë që shpenzimet do të vijojnë të larta, si rrjedhojë e mbështetjes për pandeminë, nevojës për të hedhur likuiditet në ekonomi dhe rindërtimit pas tërmetit. Një tkurrje prej 15% e të ardhurave, do të thotë 550 milionë euro më pak të hyra në buxhet.

Teksa qeverisë i kanë mbaruar municionet, ndërgjegjja qytetare për zbatimin e rregullave dhe kujdesi i të gjithëve, mbeten për momentin ilaçi më i mirë për të shpëtuar jetët dhe ekonominë.