Ndërkohë që situata e koronavirusit në Itali dhe në shumë vende të botës vazhdon të jetë shqetësuese, shumë njerëz po mendojnë për plazhin. Në një periudhë normale shumë do të kishin filluar prenotimet dhe planifikimin e pushimeve verore, ndërsa këtë vit njerëzit po mendojnë nëse do të jetë e mundur apo jo të bëjnë plazh. Ata që janë optimistë se deri në verë situata do të jetë normalizuar, po përpiqen të gjejnë zgjidhje për të ruajtur distancimin social në plazhe.
Si parshikohet të jetë kjo verë nëse situata do të jetë normalizuar? Aspak e zakontë, kjo është e sigurt.
Ndër ata që po përpiqen të gjejnë zgjidhje është edhe Nuova Neon Group 2 nga Modena e Italisë. Kjo kompani, përveçse prodhon doreza, maska dhe barriera mbrojtëse për zyra, ka filluar të mendojë për një zgjidhje për të shmangur grumbullimet në plazh. Si? Me anë të barrierave të plexiglasit.
Bëhet fjalë për kuti të mëdha transparente plexiglasi, që do të përcaktojnë hapësirat dhe ndarjet nga njëra çadër te tjetra. Ato janë projektuar për të shmangur ndërveprimet mes pushuesve dhe për të ruajtur distancimin social. Kutitë do të jenë të larta 2 metra dhe të gjera 4.5 metra. Brenda tyre do të ketë një çadër për 2 persona, pak hapësirë dhe një hyrje.
E njëtja zgjidhje propozohet edhe për baret dhe restorantet.
Nuk dihet ende sa funksionale mund të jetë, pasi ndër faktorët që nuk e favorizojnë është krijimi i vapës në çadra nga materiali i plexiglasit. Megjithatë, mbetet ende vetëm një ide.