Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka kritikuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij që qytetarët e Shqipërisë të cilët hyjnë në Kosovë të dërgohen në karantinë 7 ditore. Ai tha se Kurti i ka hapur derën Serbisë në njërën anë dhe ia ka mbyllur Shqipërisë në anën tjetër. Vendimet e Kurtit, Thaci i quajti absurditet, ndërsa atë vetë “uzurpator” që “po keqpërdor”, sipas tij “edhe Policinë e Kosovës”.

“Albin Kurti derisa ka hapur krah më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës”, shkroi në një postim në Facebook, Hashim Thaçi.

Më tej vijoi:

“Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.”

Për ta përmbyllur me:

“Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë. Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar!”

Top Channel