Ndërtimi i Elbasanit të Kategorisë së Parë do të nisë nga trajneri. Vetëm pasi të zgjidhet ai do të bëhen edhe ndërhyrjet në merkato, për t’i lënë dorë të lirë të formojë skuadrën që dëshiron. Dhe sa i përket “timonierit” të ri të skuadrës, duket së drejtuesit nuk kanë mbetur duarkryq. Kanë nisur të lakohen edhe emrat e parë.
Për momentin mund të thuhet se janë tre ishlojtarë që kanë luajtur te verdheblutë (flasim për ekipin e të ndjerit Arben Laze). “Panorama Sport” ka zbuluar se kush janë trajnerët e mundshëm, që mund të marrin drejtimin e pankinës.
PISTA “DEDE”- Gazeta mëson, nga burime të besueshme pranë klubit, se aktualisht është Nevil Dede kandidati më potencial për të marrë në dorë frenat e klubit. Si ish-kapiten i ekipit kampion të sezonit 2005-2006 dhe gjurmët që ka lënë në Elbasan si ish-futbollist, e kanë bërë kryeqytetasin më të parapëlqyerin në këtë klub.
Nuk bëhet fjalë vetëm për dëshirë, por diçka më tepër se kaq. Palët kanë pasur biseda paraprake për një bashkëpunim të mundshëm dhe një nga këto raste ishte kur Elbasani luajti me Vorën finalen e Kategorisë së Dytë në kryeqytet.
Dede ka qëndruar për pak kohë në shoqërinë e administratorit Marenglen Çoku dhe midis të tjerave tema e diskutimit ka qenë pikërisht mundësia për të drejtuar Elbasanin.
Që nga ajo kohë kanë kaluar pak ditë, por kontaktet kanë qenë prezente dhe duket se palët po shkojnë drejt një marrëveshjeje, edhe pse nga ana e klubit nuk ka ende një konfirmim për teknikun e ri.
AHMATAJ DHE DURO- Mirëpo, emri i Nevil Dedes nuk është i vetmi që po lakohet në qytet. Së fundmi kanë dalë në “skenë” edhe dy teknikë të tjerë, të cilët janë po aq të lidhur me këtë qytet. Bëhet fjalë për Julian Ahmatajn dhe Klodian Duron, që kanë qenë edhe pjesë e festës së klubit për ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Një sinjal ky që palët janë afruar shumë me njëri-tjetrin, ndonëse ishin të ftuar si shumë personalitete të tjera të sportit, që kanë dhënë kontribut në qytetin e Elbasanit.
Gazeta mëson, se me të dy nuk ka munguar tema e diskutimit në lidhje me drejtimin e ekipit të qytetit të tyre, nga ku kanë dhënë më herët kontribut edhe si lojtarë.
Gjithsesi, ajo që mësohet për momentin, për aq kohë sa klubi nuk e ka zyrtarizuar trajnerin, duket se kreu i ri i pankinës duhet të ketë një lidhje me ekipin dhe qytetin. Pritet që në fillim të muajit qershor klubi të bëjë përzgjedhjen, për të nisur më pas edhe përgatitjen për sezonin e ri futbollistik.

PANORAMASPORT.AL