22 qershori do të sjelle rinisjen e fluturimeve të rregullta të “Air Albania” ku destinacioni i parë që do të zhvillojë është Stambolli.
“Air Albana” ka njoftuar në ‘Facebook’ se të gjitha fluturimet e rregullta do të kryhen duke u bazuar mbi marrëveshjet shtetërore bilaterale për hapjen e kufijve pas situatës së shkaktuar nga koronavirusi.
“Më 22 Qershor rifillojmë fluturimet e rregullta dhe destinacioni i parë: Stambolli! Të gjitha fluturimet e rregullta do të kryhen duke u bazuar mbi marrëveshjet shtetërore bilaterale për hapjen e kufijve”, shkruan Air Albania.
Kujtojmë se më 12 qershor mbërriti në Shqipëri charter-i i parë me 189 turistë nga Bjellorusia pas 3 muaj mbylljeje nga pandemia e COVID-it. Ndërsa më 15 qershor rinisën fluturimet e rregullta Tiranë-Athinë dhe Athinë-Tiranë. Në lidhje me fluturimet me Europën, qeveria shqiptare është në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e shteteve europiane, për të avancuar me procesin e hapjes së aeroporteve nga ana e tyre. Me 15 qershor erdhën nga Austria 120 persona, 68 të tjerë nga Serbia dhe 150 nga Greqia, ku respektimi i protokolleve të sigurisë ishte në nivele të larta.
I.K./Shqiptarja.com