Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në Qafën e Muzinës në Sarandë.
Një grua 50 vjeçe e identifikuar si Enkelejda Bekjo ka mbetur e vdekur në vend pasi humbi kontrollin mbi mjetin në të cilin ajo po udhëtonte drejt fshatit Markat në Konispol.
Ajo ka qenë duke drejtuar një mjet tip ‘Hunday’ kur ka dalë nga rruga në një kthesë në zbritje. Sipas vlerësimit paraprak besohet se shkak është bërë rrëshqitja e mjetit prej lagështisë dhe pamundësia për të manovruar në hyrje të kthesës.
Mjeti është shembur disa metra nën rrugë dhe ka pësuar disa përmbysje që vihen re në strukturën e jashme të makinës.
Drejtuesja e mjetit që ka humbur jetën në vend udhëtonte e vetme dhe besohet se vinte nga Greqia. Në pjesën e pasme të makinës dallohen disa bagazhe.
Forcat e policisë dhe zjarrfikëses po përpiqen të nxjerrin trupin e viktimës nga mjeti.
Top Channel