Automjetet dhe rrugët vijojnë të marrin jetë njerëzish në vendin tonë. Por numri i personave që kanë humbur jetën sërish mbetet i lartë. Nga 16 viktima në total në një muaj, numrin më të lartë e mban Tirana me 7 persona, e ndjekur më pas nga Elbasani, Shkodra dhe Lezha.

Sipas ekspertëve, drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët janë burimi kryesor i aksidenteve rrugore. Ata kërkojnë ashpërsim të masave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë që jo në pak raste burim aksidentesh janë bërë edhe këmbësorët, ndërsa për Tv Skampa shprehen se mosrespektimi i rregullave nga ana e tyre, por edhe nga ana e shoferëve, të cilët ecin më shpejtësi janë shkaqet kryesore, pa lënë mënjanë edhe alkooli me telefonat. Shumica e të rinjve janë me telefon në dorë kur drejtojnë automjetin.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 80 % të rasteve, aksidentet rrugore vijnë si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Projektimi i rrugëve, me të gjitha elementet e duhura të sinjalistikës, elementët mbrojtës të saj, me zgjidhjet e duhura gjeometrike, respektimi i kategorive të saj në projektim, në funksion të shërbimit që ajo ofron, ndërtimi i rrugëve të shërbimit, moskalimi në zonat e banuara të rrugëve nacionale, do të sillte më shumë siguri dhe ulje të numrit të aksidenteve.