Kandidati i grupimit të Rithemelimit të PD për kryetar në bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, ka akuzuar bashkinë e Elbasanit se, po shpërndan ndihma për përfaqësues të komuniteteve romë dhe egjiptianë në Elbasan, me kushtin që këta të fundit të dorëzojnë kartat e identitetit dhe të hedhin firma se do të jenë votues të Partisë Socialiste.
“Institucioni që e ka trajtuar në mënyrën më të padinjitetshme komunitetin rom dhe egjiptian në Elbasan, tani po u jep lëmoshën e radhës për t’u blerë votën. Pas zgjedhjeve i harron, i përçmon, i përzë, i fyen! Pa diskutim merrini ndihmat, se ato janë paratë e taksave të qytetarëve të Elbasanit, por në 14 maj me votë jepini ndëshkim atyre që ju kanë përbuzur për 16 vite”, shkruan Boçi në reagimin e tij.
Bashkia e Elbasanit ka përgënjeshtruar Luçiano Boçin përmes një njoftimi për media, ku sqaron se ndihmat e shpërndara janë një aktivitet bamirësie i Shoqatës “Mirësi për Botën”, të cilët si çdo vit shpërndajnë ndihma tek familjet në nevojë me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
“Keqardhje për spekulimet e ulëta politike të lëshuara në publik nga shtetasi Luçiano Boçi ndaj institucionit të Bashkisë së Elbasanit. Pamjet e shitura prej tij në rrjetet sociale e më pas në media si gjoja shpërndarje ndihmash nga bashkia e Elbasanit, në fakt janë as më pak e as më shumë sesa një aktivitet bamirësie i Shoqatës “Mirësi për Botën” të cilët si çdo vit shpërndajnë ndihma tek familjet në nevojë me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit”, ka bërë të ditur bashkia Elbasan.
Më tej në reagim thuhet se, i vetmi ndryshim nga vitet e shkuara është se shtetasit Luçiano Boçi i janë errësuar sytë në ëndrrën e tij për të pushtuar bashkinë e Elbasanit.
“Ëndërr për të cilën është gati të njollosë e bëjë pis çdo komunitet fetar, çdo organizatë joqeveritare, çdo institucion publik, çdo qytetar të Elbasanit. 14 Maji do jetë dita kur Luçiano Boçi do të marrë përgjigjen e merituar si mëkëmbësi i Sali Berishës dhe Ilir Metës”, vijon reagimi.
Në njoftim thuhet se, bashkia e Elbasanit ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në përkrahje dhe mbështetje të shtresave në nevojë.
“Bashkia e Elbasanit gjithashtu falënderon dhe i shpreh mirënjohje çdo organizate bamirësie në përpjekjet e tyre të përvitshme, larg çdo ndikimi politik, për të ndihmuar sa më shumë familje në nevojë”, theksohet më tej në njoftim.
Pas njoftimit të bashkisë mbi këtë ngjarje ka reaguar sërish Luçiano Boçi, i cili shprehet se, reagimi absurd i bashkisë së Elbasanit ndaj denoncimit për blerje votash, përmes një shoqate ndihmash provon jo vetëm krimin zgjedhor të Partisë Socialiste, por ajo dëshmon dështimin e plotë të qeverisjes së tyre.
Boçi shprehet se, “bashkia e Elbasanit u ka marrë të gjithë atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike firmën se do të votojnë PS-në në zgjedhjet e ardhshme. Ata kanë dorëzuar shpirtin, kartën e identitetit dhe dinjitetin, gjunjëzuar prej mjerimit dhe urisë. Ky është turp”.
Ai fton institucionet e drejtësisë të reagojnë sa më parë për këtë ngjarje.
“Çdo akt nga zyrat e bashkisë deri tek ndarja e kutive me ndihma është e dokumentuar me prova, për të cilat ekspertët ligjorë janë duke punuar për t’i dërguar brenda kësaj jave në SPAK”, thekson Boçi.
Më pas edhe Partia Socialiste në Elbasan ka dënuar kërcënimet e kandidatit të djathtë, Luçiano Boçi ndaj shoqatave të bamirësisë në këtë qytet.
Përmes një reagimi për mediet ndaj kandidatit Boçi, dega e PS në Elbasan nënvizon se,
nuk ka ndodhur kurrë më parë që një forcë politike të shantazhojë shoqatat e bamirësisë pse ndihmojnë njerëzit apo të sulmojë organizatat fetare pse u qëndrojnë afër besimtarëve të tyre.
“Vetëm një mendje e sëmurë për pushtet si ajo e shtetasit Luçiano Boçi mund të kërcënojë shoqatat e bamirësisë me padi penale. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që një forcë politike të shantazhojë shoqatat e bamirësisë pse ndihmojnë njerëzit apo të sulmojë organizatat fetare pse u qëndrojnë afër besimtarëve të tyre. Në vend që t’i falënderojë ato për angazhimin krejt vullnetar në mbështetje të shtresave në nevojë në territorin e bashkisë së Elbasanit, oferta e ricikluar politike e “foltores” ka zgjedhur t’i vendosë në tabelë qitjeje e t’i përdorë politikisht si të vetmen mënyrë për të vetëkënaqur egon për pushtet”, thuhet në njoftimin e PS-së së Elbasanit.
“Taksirati i qytetarëve të Elbasanit që do të duhet të shohin e të dëgjojnë të tilla shfaqje të rëndomta deri në 14 maj, kur “foltorja” e Sali Berishës dhe Ilir Metës bashkë me mëkëmbësin e ricikluar do marrin përgjigjen e merituar me disfatën më të thellë elektorale”, përfundon njoftimi i PS-së së Elbasani