Ambasada e SHBA-së në Tiranë përmes një njoftimi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve për marrjen e vizës, në këmbim të parave.
Ambasada shkruan se shpesh kontaktohen nga individë të cilët kanë rënë viktima nga mashtrimet e vizave, duke shtuar se zakonisht ato bëhen përmes faqeve të rreme të internetit, adresave të e-mail-it dhe kërkesave për tarifa shtesë.
“Ne kontaktohemi vazhdimisht nga individë që kanë rënë viktima të mashtrimit të vizave. Mashtrimet zakonisht përfshijnë faqe interneti të rreme, adresa e-maili dhe kërkesa për tarifa shtesë që duhet paguar për të marrë një vizë”, thekson Ambasada e SHBA.
“Mos harroni, Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kërkojë kurrë të transferoni para tek një individ apo organizatë tjetër për të marrë vizën tuaj. Informoni veten në mënyrë që të mos bëheni viktimë e një mashtrimi”, shprehet Ambasada e SHBA-së. /j.p/r.e/




























