Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë, Yuri Kim u ka dalë në mbrojtje gazetarëve. “Thelbësor për demokracinë” i cilëson ajo duke thënë se SHBA mbështet rolin e tyre jetik në shoqërinë, ku vë theksin se nuk duhet të sulmohen apo kërcënohen sepse bëjnë detyrën .

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetin rolin jetik të gazetarëve në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë. Ata janë burim llogaridhënies dhe informacionit. Ata janë thelbësorë për demokracitë. Ata nuk duhet të sulmohen apo të kërcënohen sepse bëjnë pyetje të vështira dhe tregojnë faktet”, shkruan Kim.

Në të njëjtën linjë me të ka qenë më herët edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

“Gazetarët kanë një rol kritik në shoqëri, por shumë shpesh kërcënohen, sulmohen apo vriten – krime që shpesh nuk ndëshkohen. Në Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve, ne u bëjmë thirrje qeverive të hetojnë dhe të dëmshpërblejnë këto krime”, shkruan Pompeo.

Ky është reagimi i dytë i ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim në mbrojtje të gazetarëve, të cilat vijnë në kulmin e presioneve dhe kërcënimeve nga presidenti Ilir Meta, siç është rasti me gazetarin e Shqiptarja.com Adriatik Doçi. Ky i fundit u sulmua personalisht nga stafi i presidencës, pasi zbuloi skandalin e kreut të shtetit me nënshtetësitë.