Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bëri të ditur se, “prej datës 15 janar kur u çelën aplikimet, naftë falas për bujqësinë, janë afro 200 fermerë të regjistruar me NIPT që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e këtij procesi”.

Ndërsa ka një interes të lartë tek fermerët për të përfituar naftën pa taksa për punët në bujqësi, janë 180 specialistë që ndjekin nga afër procesin.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po ndjek me vëmendje procesin e aplikimit në portalin e-Albania të fermerëve që përfitojnë nga masa e premtuar e qeverisë për naftë falas”, – shprehet Ekonomi.

Sipas saj, fermeri i parë shqiptar që aplikoi në portalin e-Albania më 15 janar, ishte Kujtim Lamthi, nga Gruemira e Malësisë së Madhe në veri të vendit për t’u ndjekur më pas dhe nga qindra fermerë të tjerë në ditët në vazhdim.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit duke ofruar mbështetje të plotë ndaj fermerëve të interesuar.
Në të gjithë vendin janë ngritur 56 zyra aplikimi pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB) dhe Agropikave ku janë angazhuar rreth 180 specialistë të trajnuar për të pritur dhe plotësuar aplikimet e fermerëve.
Të gjitha zyrat e aplikimit në AREB-e dhe Agropika, janë të pajisura me bazën materiale, kompjuterit për çdo specialist, skaner dhe internet.
Aplikimet online do të zgjasin deri më 25 shkurt.