Ishte data 21 gusht kur aktorja shqiptare Olta Gixhari, e cila prej disa kohësh jeton në Spanjë me partnerin e saj, provoi emocionet më të bukura dhe të papërsëritshme të jetës, emocione e mëmësisë. Në jetën e saj erdhi Amar, e bashkë me të një fazë e re plot frikëra, dyshime, por mbi të gjitha shumë dashuri.

Amar rritet dita-ditës, e bashkë me të edhe kurioziteti për babanë e tij, apo jetën e re të aktores larg Shqipërisë. Nuk keni pse prisni ndonjë post të radhës në Instagram, pasi Olta është këtu. Së fundmi, ajo ka qenë e ftuar në emisionin e Jonida Maliqit ku ka treguar disa detaje interesante që nuk i dinim.

E pyetur në lidhje me identitetin e bashkëshortit, ajo tha: “Kemi një ndryshim në dukje të parë, por dhe ai thellë-thellë është si unë. Nuk është i fushës së artit. Më pëlqen shumë që nuk ma ka ndrydhur këtë pjesën e koketës që kam unë, energjinë, çmenduritë e mia, ose ndryshim planesh përnjëherë. Është njeri që më jep liri dhe shumë qetësi, sepse nuk bëra kot valixhet gati dhe të ikja. Deri tani jemi shumë rehat me njëri-tjetrin, plotësojmë shumë mirë njëri-tjetrin.”

Sigurisht që pyetjet për Amarin ishin kryefjala e kësaj interviste, por ajo që na bëri përshtypje ishte përzgjedhja e emrit të tij, që nuk i takon as mamit e as babit, por Armina Mevlanit.

“Amar lindi me dy A tek këmbët e vockla, në taban. Postimi parë i Amarit në Instagram, që unë dhashë lajmin që lindi, ka dy A shumë të qarta. Kush ma tha mua emrin? Kam folur me mikeshat e mia dhe ju kam thënë më dërgoni lista ose emra që mendoni dhe një ndër to ishte Armina Mevlani.

Armina më dha 4-5 emra,  ishte shumë tek emrat spanjollë dhe emri i fundit fare ishte Amar. Të nesërmen kthehem prapë po shihja Amar dhe i thashë partnerit tim “Mua më pëlqen shumë. Kam gjithë natën që e mendoj është e çuditshme.” U la me aq biseda dhe kalonin ditët e unë mbeta tek ky emër”, -tregoi Olta.