Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar me gjuhë të ashpër për akuzat e Bashës në lidhje me situatën e pandemisë. Nga malet e Rrajcës ku ishte për inspektim Balla e ka cilësuar katërshen Berisha- Meta- Basha- Kryemadhi si politikanë të së keqes dhe se në 8 muaj Shqipëria ka pasur betejë me panikun që këta politikanë përhapin.

Sot ishim në Rrajcë për të inspektuar punimet në Qendrën e re Shëndetësore, e cila është drejt përfundimit.

“Gjatë këtyre 8 muajve në Shqipëri përveç luftës me armikun e padukshëm, ka edhe një betejë me panikun që përhapin politikanë tipikë të së keqes Berisha-Meta-Basha-Kryemadhi: në fillim kundërshtonin përdorimin e mjeteve të komunikimit në apelin për të qëndruar në shtëpi e ruajtur higjienën. Konferenca për shtyp nga divani e postime pafund pse kryeministri u kërkon njerëzve qëndroni në shtëpi e pse u thotë lani duart.

Më pas filloi histeria e testeve masive, e që u rrëzua nga OBSH. Vetëasgjësimi i çdo norme njerëzore brenda opozitës rrugore vijoi me akuza për “fshehjen” e vdekjeve dhe pasojave të epidemisë”. Kur Komiteti i Ekspertëve si në çdo vend të BE sugjeroi lehtësimin e masave shtrënguese por me kujdesin e domosdoshëm pak nga pak, nga opozita vinin klithmat pse vazhdon gjendja e jashtëzakonshme”, tha Balla.

Sipas tij, tashmë që e gjitha Europa ka hyrë në një situatë emergjence më të rëndë sesa në pranverë dhe Komiteti i Ekspertëve ka sugjeruar mbajtjen e detyrueshme të maskave, mësimin online në universitete e masa të tjera të domosdoshme, simboli i paaftësisë Lulzim Basha sulmon dhe baltos punën e ekspertëve.

“Është e turpshme që këto kasandra të opozitës janë kundër masave mbrojtëse, kundër mbajtjes së maskave, nxisin studentët kundër mësimit online dhe mundohen të përhapin panik ekonomik dhe social duke përdorur atë që njohin më mirë baltën dhe mashtrimin”, shprehet ai.

Askush, vijon Balla, nuk duhet ta përdorë këtë flamë të paparë si koronavirusi, për të shpërndarë panik, nxitur ankth, kërkuar rrëmujë, apo demoralizuar mjekët, infermieret dhe stafet e tjera shëndetësore.

“Lulzim Basha ti nuk bën gafa nga pakujdesia, ti je realisht i paaftë! Kaq për sot. Ndërsa Ilir Metës po i kujtoj angazhimin e tradhtuar të Lulzim Bashës para demokratëve “Ilir shpk-ja jote do të ikë për skrap” më 25 Prill”, deklaroi Balla.