“Partia Socialiste në mandatin e tretë do të vijojë të ketë vëmendjen në arsimin profesional”. Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh dhe drejtues politik i PS për qarkun e Elbasanit gjatë një bashkëbisedimi online me të rinjtë e Elbasanit, ku theksoi se qeveria e Partisë Socialiste ka patur dhe do të ketë vëmendjen të shtuar tek arsimi profesional, si rruga drejt tregut të punës për të rinjtë dhe të rejat shqiptare.

Ai tha se sot janë rreth 70 % e atyre që kanë realizuar kurse profesionale apo shkolla profesionale, që sot janë të punësuar, ndërsa shtoi se qeveria Rama për arsimin profesional është bazuar tek modeli gjerman.

“Elbasani është një nga shembujt më të mirë për arsimin profesional. Janë mbi 70 profesione në që dalin nga arsimi profesional këtu në Elbasan. Në vitin 2013 në Elbasan ishin regjistruar në shkollat profesionale 673 veta, në vitin 2020, u regjistruan 2 370 veta. Interesi është shtuar drejt këtij arsimi. Dua t’ju garantoj se vëmendja e qeverisë sonë edhe në mandatin tjetër do jetë vëmendje e shtuar kundrejt arsimit profesional për të marrë sa të kemi mundësi nga modeli i suksesshëm gjerman i arsimit profesional”, – tha Balla.

“Historia që duan të shkojnë të gjithë në Unviersitet për t’u bërë jurist e mjek, duhet të marri fund, pasi duhet të sigurojmë që çdo i ri apo e re e vendit duhet të ketë një profesion, dikush topograf, dikush saldator, etj. Unë i kam vizituar dhe kam konstatuar me shumë krenari rritjen në interesit, si dhe rritjen në cilësinë e punës. Në shkollën e “Sali Çeka”, u habita kur pashë se si ishte dixhitalizuar laboratori i saldimit, gjë që nuk imagjinohej dot në vitin 2013. Unë faktikisht prisja të shihja mjetet e saldatorit, maskën, etj, por pashë se ishte dixhitalizuar i gjithë sistemi”, deklaroi Balla.

Duke iu përgjigjur interesit së të rinjve, Balla tha se, “është një profesion i nderuar ai i kuzhinierit. Është një profesion që nuk të lë pa punë. Fakti që ka gjetur punë këtu në Elbasan është një lajm shumë i mirë”.

“Nuk mund të pretendojmë se puna do gjendet më t’u mbaruar shkolla, por shifrat thonë se pothuajse 70 % e atyre që përfundojnë kurse apo shkolla profesionale punësohen, një pjesë janë larguar edhe drejt Gjermanisë kryesisht, ata që kanë bërë trajnime profesionale në mekanikë apo sektorë të tjerë. Ndërtimi gjithashtu është me mjaft interes, pasi ata që kanë përfunduar në këtë drejtim, janë integruar dhe në tregun tonë dhe në atë europian”, – shtoi Balla.

 

“Unë doja të nxisja sa më shumë djem e vajza që duan të marrin një profesion, kemi të gjithë kapacitete e nevojshme për t’i ofruar këtë mundësi. Pasi të kenë mbaruar arsimin profesional, por dhe pasi të kesh përfunduar arsimin e mesëm, duhet të përfshihesh në një nga kurset”, – tha ai.

Lidhur me lehtësirat fiskale, Balla tha se “një pjesë të lehtësirave i kemi krijuar dhe ju jeni dëshmitarë. Ju keni tetë muaj që keni hapur biznesin, në një vit të vështirë si ai i pandemisë. Sot, nga 1 janari, ju punoni pa taksa mbi fitimin apo TVSH. Lehtësira më e madhe që kemi ofruar, 0 tatim fitimi dhe ai i TVSH”, – tha Balla.

“Deri në 31 dhjetor, ty të duhej që përveç këtyre të dyjave të mbaje dhe një ekonomist për të bërë bilancet e këtyre dy të parave, por nga data 1 janari ti s’ke më nevojë, pasi zerohen këto dy tarifa dhe lehtësohet bashkëpunimi me institucionet tatimore. Ky lehtësim do të zgjasë deri në vitin 2029”, – tha Balla.