Zv/kryeministrja Belinda Balluku deklaroi sot se, “dita e nesërme, 6 dhjetor, përfaqëson një ditë historike për Shqipërinë, por jo vetëm, për të gjithë Ballkanin Perëndimor, pasi BE ka vendosur si kurrë më parë të zhvillojë një nga samitet e tij më të rëndësishme në një vend të Ballkanit Perëndimor”.

Në fjalën e saj në seancën e sotme në Kuvend, Balluku u shpreh se, “fakti që është zgjedhur Shqipëria, pa dyshim që neve na bën të gjithëve krenarë. Është një momentum historik, një faqe e historisë për t’u kujtuar, një ditë kur Shqipëria do të tregojë edhe një herë rolin e saj konstruktiv në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë që tashmë ajo ka marrë për Evropën”.

“Në të njëjtën kohë ky është pa dyshim edhe një vlerësim i angazhimit dhe përpjekjeve të qeverisë sonë për përmbushjen e standardeve evropiane, aq shumë të kërkuar nga partnerët tanë strategjikë, por edhe nga qytetarët”, tha Balluku.

“Përtej ndjenjës së natyrshme të krenarisë që ne kemi në këtë rast si vendi i përzgjedhur për një event kaq të rëndësishëm”, Balluku u shpreh se, “do të duhej të theksonim marrëdhënien shumë të mirë që kemi kultivuar veçanërisht në vitet e fundit me BE dhe mekanizmat e saj për zhvillimin ekonomik dhe politik”.

“Falë kësaj marrëdhënieje, por edhe rritjes së vazhdueshme të kapaciteteve tona njerëzore dhe profesionale, – nënvizoi, Balluku, – kemi prodhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë projekte të cilat mbështeten dhe financohen nga BE. Nëpërmjet IPA-ve, instrumenti i Paraanëtarësimit dhe (WBIF) kuadrit të investimeve për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka përfituar financime të rëndësishme, të cilat janë përdorur për investime në infrastrukturë, në energji, në arsim dhe në fusha të tjera”.

Balluku u ndal tek disa investime si, “ndërtimi i bajpasit të Fierit dhe atij të Vlorës me impakt të jashtëzakonshëm të zhvillimit ekonomik në jugun e Shqipërisë. Bajpasi i Tiranës, i cili është 40% i bazuar mbi një grant që BE ka garantuar për ne, është i përzgjedhur për financim në thirrjen e fundit për investimet të WBIF, në vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimin, ashtu siç kemi premtuar. Hekurudha Tiranë-Durrës, tashmë prej kohësh një kantier, i cili ecën çdo ditë me ritme të shpejta dhe duhet pasur parasysh se tashmë kemi arritur 31% të volumit të këtyre punimeve. Një projekt që do të pasohet nga një sërë projektesh të tjera në zhvillimin hekurudhor shqiptar. Duke vazhduar menjëherë me hekurudhën Vorë-Hani i Hotit dhe duke u përgatitur për sa i përket hekurudhave të tjera, ato që i përkasin Korridorit 8, ato që do të lidhin portin e Durrësit me Maqedoninë e Veriut dhe më pas me Bullgarinë”.

Ajo theksoi se, “ndërtimi i paneleve lundruese në Vaun e Dejës, përzgjedhur për financim në thirrjen e fundit të investimeve të WBIF, do të ndihmojë në diversifikimin e prodhimit energjetik nga burimet e rinovueshme në Republikën e Shqipërisë, që krijon edhe një mundësi të re për të pasur parqe të integruar, aty ku prodhimi energjetik vjen përmes Kaskadës, por ku ne do të kemi edhe këtë projekt pionier që janë panelet lundruese në pjesën e basenit të Vaut të Dejës dhe që do të menaxhohet dhe do të jetë pronësi e KESH”.

Po ashtu, Balluku u shpreh se, kemi përfituar asistencë teknike në një sërë projektesh të tjera me rëndësi strategjike për vendin dhe gjithë rajonin.

Zv/kryeministrja përmendi, “studimin e fizibilitetit për korridorin Adriatiko-Jonian, mbi të cilin jemi mbështetur edhe për garën që kemi hapur dhe një pjesë e saj ka rezultuar e suksesshme. Një nga lotet ka nisur nga puna, ndërkohë që një lot tjetër, sapo është firmosur kontrata dhe janë në vlerësim dy lotet e fundit të këtij korridori. Studimi i fizibilitetit të detajuar për tubacionin Fier-Vlorë, i cili do të shërbejë për ndërtimin e këtij tubacioni pjesë integrale e projektit tashmë rajonal të terminalit të Vlorës të gazit të lëngshëm, por njëkohësisht pjesë përbërëse e tubacionit Adriatiko-Jonian”.

“Së fundmi BE ka vënë në dispozicion një paketë grantesh në vlerën prej 1 miliard euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim adresimin e përballimit të efekteve të krizës energjetike, nga të cilat Shqipëria ka përfituar 80 milionë euro si injektim direkt buxhetor për të mbështetur këtë paketë të mbrojtjes sociale për energjinë elektrike mbi ekspozimin e çmimeve të larta në treg. Nga ana tjetër kjo paketë do të jetë e disponueshme dhe gjatë 6 mujorit të parë të 2023-shit, duke na dhënë mundësi kështu që ne si vend të konkurrojmë me vendet e tjera pjesë e Ballkanit Perëndimor për të sjellë projekte inovatore të cilat do të kontribuojnë në eficiencën e energjisë”, u shpreh Balluku.