Shtetasit e vendeve të treta që lejohen të hyjnë pa viza ose me vizë afatshkurtër në Zonën Shengen së shpejti nuk do të kenë më vulë në pasaportat e tyre, pasi informacioni për hyrjet dhe daljet në bllok do të regjistrohen automatikisht përmes një sistemi të ri të automatizuar, Sistemi i Hyrës/Daljes, sipas SchengenVisaInfo.com.
Sistemi i hyrjeve/daljeve është një sistem i ri i automatizuar i cili pritet të lançohet plotësisht në fund të këtij viti.
Sistemi do të përdoret për të gjurmuar udhëtarët e vendeve të treta që hyjnë në BE dhe për të zbuluar ata që i kanë shkelur afatet e qëndrimit.
EES do të zëvendësojë sistemin aktual të vulosjes manuale të pasaportave, i cili është shumë i ngadaldtë, dhe nuk ofron të dhëna të besueshme për kalimet kufitare dhe nuk lejon gjithnjë identifikimin e personave që kanë kaluar afatin e qëndrimit.
Njëkohësisht, synohet modernizimi i disa procedurave të tjera, që udhëtarët nga vendet jashtë BE duhet të ndjekin kur të arrijnë në bllok.
Në këtë mënyrë, udhëtarëve u mundësohet një kalim më i shpejtë i kufijve.
Për më tepër, sistemi do të regjistrojë të dhëna specifike për udhëtarët, si emrin e tyre, gjurmët e gishtërinjve, fytyrën, llojin e dokumentit të udhëtimit, datën dhe vendin e hyrjes, datën dhe vendin e daljes, si dhe periudhën e qëndrimit të tyre në zonën Shengen.
Sapo Sistemi i Hyrjeve/Daljeve të bëhet plotësisht funksional, udhëtarëve që mund të hyjnë pa viza në Zonën Shengen do t’u kërkohet të marrin një autorizim udhëtimi në internet, Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (European Travel Information and Authorisation System, ETIAS).
ETIAS është një sistem tërësisht elektronik, që do të përdoret për të gjurmuar vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë në zonën Shengen.
ETIAS do të kushtojë 7 € për person dhe do të jetë e vlefshme tre vjet.
Rreth 1.4 miliardë shtetas që aktualisht mund të hyjnë pa viza në Zonën Shengen, do të duhet të aplikojnë për një autorizim në ETIAS.



























