Tre fitues bashkë në një Podcast të titulluar “Blu Bradhërs”.

Luiz Ejlli fitues i Big Brother Vip, Benet Beci Fitues i zgjedhjeve në Shkodër dhe Edi Rama fitues i tre zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Kryeministri Rama: Ky episod besoj unë është i veçantë. I veçantë sepse ka dy personazhe shumë të veçantë. Njëri, një fenomen befasues dhe i befasishëm i këtij viti dhe tjetri një befasi e befasishme e kësaj jave. Jam këtu me atë që shkatërroi gjumin e nuk e di sesa familjeve dhe të cilin e takoj për herë të parë, me përjashtim të disa pamjeve sporadike, por jo tek vrima e çelësit ku gjithë të tjerët ju qepen dhe nuk ju ndanë, sot e kam përballë për herë të parë, Luizi juaj. Mirë se erdhe!

Luiz Ejlli: Mirë se ju gjej!

Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë, tjetri është Beneti, i cili thuhet se e ka ndihmuar Luizi. Kështu thotë Luizi të paktën, por për mua kjo mbetet e gjitha për t’u sqaruar.  Unë nuk kam parë asnjëherë asnjë minutë Big Brother në jetën time.

Luiz Ejlli: Turp të kesh.

Luiz Ejlli tregoi qëllimin përse i tha PO ftesës së Big Brother.

Kyeministri Rama: Nuk e dija se çfarë më priste dhe isha futur “all in” ose për të fituar o s’ka. E dija që ishte e vetmja portë ose dritare për mua për të ardhmen time, duke marrë parasysh që, po e lidh me Benetin, kur isha jashtë si çdo njeri, të gjithë kemi pasur uljet dhe ngritjet tona, unë mbeta me plotë gojën në rrugë të madhe, kam telefonuar njerëz, qoftë biznesmenë, qoftë drejtues mediash, por edhe politikanë që i kisha njohje personale…

Kryeministri Edi Rama: Mua jo…

Luiz Ejlli: Po duke marrë parasysh që gjithmonë jam konsideruar i djathtë, nuk i kisha fare shpresat se mendoja se do thonë “Ky është i djathtë”, por këto do e sqaroj më mbrapa sepse siç e thatë dhe ju, është hera e parë që flasim dhe përballë, por as në telefon e asgjë.

Pavarsisht ngacmimeve të Edi Ramës, Luizi e distancoi veten nga tifozeria politike.

Luiz Ejlli: Unë isha në punë edhe në kohën e të djathtës, por mbeta pa punë dhe më futi zotëria në fjalë dhe i jam shumë mirënjohës. Për ata që thonë “Luiz, u bëre i majtë, i djathtë, i mesëm” me këto nuk merrem, nuk merrem me këtë pjesë. Unë nuk jam bukëshkelës, unë vlerësoj individin, vlerësoj njeriun dhe në këtë rast është Beneti.

Megjithatë djali që gozhdoi para ekranit miliona shqiptarë në të gjithë botën e ka një mëndin për fitoren historike të Shkodrës.

Luiz Ejlli: Unë them se është hera e parë që Shkodra ka zgjedhur me tru, me mend e jo me zemër, kanë votuar me mend. Ka parë Benetin dhe ka parë Shkodrën, ka parë ecurinë e Shkodrës 30 e disa vjet dhe ka thënë “Pse jo, çfarë kemi për të humbur? Jemi në këtë gjendje që jemi sot, pse jo?

Martesa e Luizit me Kiarën, ishte pjesë e bisëdës.

Kryeministri Rama: Tani një gjë dua të di unë. Kjo martesa, sa dole nga aty, është reale kjo apo është vazhdimi i spektaklit?

Luiz Ejlli: Po pse thua është reale apo vazhdimi? Po pyet për një shok apo për vete? Po pyet për lalin?

Kryeministri Edi Rama:  Se thashë larg qoftë tani këtë e ka organizuar lali se do patjetër të martojë Luizin.

Luiz Ejlli: Unë se di si i keni punët me Lalin dhe nuk merrem me atë pjesë.

Kryeministri Edi Rama:  Me lalin i kemi shumë mirë, po është reale?

Luiz Ejlli: Reale!

Kryeministri Edi Rama: E mirë, të trashëgohesh atëherë!

Për fenomenin Luiz Ejlli, Benet Beci dha këtë koment.

 Benet Beci: Luizi u krijua si fenomen, në fakt e kam parë në dy anë. U krijua si fenomen që për Shkodrën ishte shumë interesante, për qytetin dhe si menaxher që jam, i shoh në aspektin se çfarë prurjesh mund të ketë. Gjithmonë e kam parë, se ky krijoi një emër të mirë për Shkodrën, krijoi një fizionomi të mirë, një dashuri dhe njëkohësisht nxori në pah disa elementë të Shkodrës që janë të humorit, të pozitivitetit, të energjisë, që në fakt janë ashtu. Në një farë mënyre e kam parë gjithmonë mirë, me idenë që si mundet ky njeri që të jetë një njeri që mund t’i shërbejë Shkodrës. Ky e ka bërë menjëherë atë shërbim për Shkodrën në momentin që ka dalë.

Luiz Ejlli: Unë e them haptas. Kërkoj tre gjëra nga Beneti si qytetar shkodran, si populli.

E para, pastrimin e qytetit nga plehrat që bëhen sa më shumë mbushen kazanët, digjen e dihet.

Lagjet e vjetra ose lagjet që janë pak më të thella, janë pa rrugë të shtruara. Bie shi dhe bëhet gropa që s’ke mundësi të kalosh. Flas qytetin, s’ka lidhje se Oboti e ato pjesa këtej. Pra, shtrimin e rrugëve dhe Shirokën, Bunën, thellimin e saj në bashkëpunim me mbështetjen tuaj kuptohet, edhe të jashtëm që janë të gjithë, jam i bindur që të gjithë do thonin po, se jam i bindur që ajo pjesë mund të bëhet shumë më e bukur se Venecia. Ura është bërë, ka atë hapjen, aty mund të vijnë nga Mali i Zi, bëhet një turizëm, vende pune. Të dy kemi qenë në France, në Paris, kemi parë kanalin se si është me ato varkat restorant, me muzikë, pra mund të bëhet në Shkodër, por ajo do thellim, do pastrim dhe jam i bindur që Beneti mund t’i bëjë, jo se po ja kërkon Luizi apo Shkodra, por me aq sa e kam njohur Benetin e di që nuk e zë vendi pa i bërë. Kjo është ajo që kërkoj unë, duke marrë parasysh që nuk jetoj aty aktualisht, por kam qejf ta shoh. Kur të marr vesh që janë bërë këto tre gjëra do të them bravo të qoftë që e bëre për Shkodrën, se unë nuk them do ta bësh për Luizin apo për Benetin. Bëje për Shkodrën e po i bëre këto, për mua ka respektin maksimal dhe i ka hallall të gjitha votat dhe gjithçka.

Kryeministri i kërkoi kryebashkiakut të ri të Shkodrës, angazhim me kohë të plotë për qytetin.

Edi Rama: Nëse ti rri pa gjumë çdo gjë tjetër është ok. Kështu që nga ty unë pres të rrish në Shkodër, Benet. Këtë mos ta diskutojmë sepse pastaj do na hape shumë probleme e larg qoftë se unë një zëvendësues e kam gati.

Luiz Ejlli:Fillojnë mocionet e mosbesimit.

Kryeministri Edi Rama: Jo po kemi dhe zëvendësuesin gati. Kështu që, shumë faleminderit. Luiz, ishte vërtetë kënaqësi. Edhe një herë uroj të kesh një jetë të lumtur me bashkëvuajtësen. Benet, uroj që sa më shpejt, jo nesër, por…

Top Channel