/ATSH-AFP/- Britania e Madhe kërcënohet nga një recesion historik për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, paralajmëroi sot një institucion publik, ndërkohë që qeveria po përgatitet të zgjasë kontrollin, pa ndonjë strategji daljeje.

Me 778 vdekje të njoftuara sot dhe më shumë se 12 000 në total nëpër spitale, Britania e Madhe është një nga vendet më të prekura në Europë.

Ende nuk vihet re një rënie në shifrat e COVID-19 që mund lejon të parashikojë një lehtësim të masave të pashembullta të marra për të ngadalësuar përparimin e pandemisë, të cilat po ndikojnë ndjeshëm mbi ekonominë.

Vendi mund të pësojë një rënie prej 13 % të PBB-së në vitin 2020, sipas një skenari të zbuluar nga OBR (Zyra për Përgjegjësitë Buxhetore), organi publik përgjegjës për parashikimet ekonomike dhe buxhetore pranë qeverisë.

“Kjo rënie në aktivitet do të jetë shumë më e lartë se rënia vjetore e vërejtur në fund të çdo lufte botërore ose gjatë krizës financiare të vitit 2008”, paralajmëroi OBR.

Vlerësimet e këtij bazohen në mbylljet që do të zgjasnin tre muaj, pasuar nga një periudhë tjetër prej tre muajsh gjatë së cilës do të hiqen gradualisht kufizimet.

“Pandemia do të ketë një ndikim shumë të rëndësishëm në ekonominë tonë, si mbi të tjerat në botë. Na pret një sprovë dhe ne nuk do të jemi në gjendje të mbrojmë çdo punë dhe çdo biznes”, reagoi ministri i financave, Rishi Sunak.