Ndarja nga jeta pak ditë më parë e ish – Kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, ka lënë një boshllëk të madh edhe tek sporti i çiklizmit.
Si një nga përkrahësit më të mëdhenj të këtij sporti në vendin tonë, federata e çiklizmit ka humbur një nga miqtë e saj më të ngushtë, i cili ka qenë gjithnjë i gatshëm të jepte kontributin e tij. Në aktivitetin e parë të kësaj federate, që përkon pas ndarjes nga jeta të ish – Kryebashkiakut, u mbajt një minutë heshtje në nder të tij, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, i cili e konsideron Sejdinin një njeri të madh, thekson se në të ardhmen do të mbahet një aktivitet enkas për të nderuar dhe shprehur mirenjohjen per kontributin e tij.
Sporti, arti e mbi të gjitha Elbasani, humbën njeriun që çdo ditë ndihmoi, sakrifikoi dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e tyre. Qazim Seidini do të kujtohet dhe nderohet përherë për punën e tij në shërbim të qytetarëve dhe zemrën e madhe për t’i ardhur në ndihmë kujtdo.