Agjencia Europiane e Shëndetit u kërkoi sot vendeve të kryejnë më shumë testime dhe të vaksinojnë grupe rreziku për të ngadalësuar përhapjen e varianteve të reja dhe më të transmetueshme të COVID-19.
“Vendet duhet të përshpejtojnë ritmin e vaksinimit të grupeve me rrezik të lartë, siç janë të moshuarit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, në mënyrë që të frenojnë hyrjen dhe përhapjen e mëtejshme të varianteve shqetësuese”, tha Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Agjencia, gjithashtu, rekomandoi përdorimin e vazhdueshëm të ndërhyrjeve jofarmaceutike, përfshirë higjienën e mirë të duarve, maskat e fytyrës, pastrimin dhe ventilimin e hapësirave të brendshme, promovimin e distancës sociale dhe kufizimin e grupeve të mëdha të njerëzve.
ECDC u bëri thirrje vendeve të ndërtojnë ose të rrisin kapacitetet e tyre për të renditur viruset, në mënyrë që të gjurmojnë llojet e ndryshme të tij./