Franca po përgatitet të shtrëngojë masat e saj për të ndaluar valën e dytë të epidemisë së COVID-19, ndërkohë që mundësia e një bllokimi të ri nuk përjashtohet nga ekzekutivi.  Kryeministri francez, Jean Castex, gjykoi thelbësore marrjen e masave të reja për të luftuar kundër epidemisë së COVID-19, të cilat ai pritet t’ia paraqesë parlamentit të enjten.

“Ne duhet të mobilizojmë jo vetëm përfaqësimin kombëtar, por të gjithë vendin tonë”, shkroi kreu i qeverisë në Twitter. “Ne duhet të presim vendime të vështira”, paralajmëroi ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, duke iu referuar kufizimeve të reja të planifikuara në Itali, Spanjë dhe Republikën Çeke.

Skenarët e përmendur për përforcimin e masave variojnë nga një forcim i shtetrrethimit aktualisht në fuqi për dy të tretat e francezëve nga ora 21:00 deri në orën 06:00, deri në bllokimin e plotë, që do të jetë më pak i rreptë se ai që përjetoi vendi për dy muaj, në pranverë.