Ditët e fundit, si presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ashtu dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, janë parë për herë të parë duke mbajtur maska në publik.
Është një kthesë dramatike. Trump më parë tallte të tjerët për vendosjen e maskës, dhe la të kuptohet që disa mund të mbanin pajisje të tilla të mbrojtjes personale për të treguar mosmiratimin e tyre ndaj tij, edhe pasi Qendrat e SHBA për Kontrollin e Sëmundjeve rekomanduan të mbaheshin maskat.
Ndërkohë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar fillimisht nuk ishte e gatshme të këshillonte publikun e gjerë për të vendosur maska, siç vepruan vendet e tjera në Evropë. Ajo vendosi rregulla për të vendosur maska në transportin publik në qershor, dhe tani thotë se njerëzit në Angli duhet të mbajnë maska në dyqane, ose do të gjobiten.
Në gjithë botën, shumë autoritete, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, fillimisht sugjeruan që maskat nuk ishin efikase në parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Megjithatë, tani ato po rekomandojnë vendosjen e tyre në mjedise të mbyllura, dhe shumë qeveri madje i kanë bërë të detyrueshme.
Por çfarë ndryshoi dhe pse?
Numri i qeverive që rekomandojnë vendosjen e maskës është rritur ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të fundit. Nga mesi i marsit, rreth 10 vende kishin politika që rekomandonin maska, ndërsa tani janë më shumë se 130 vende dhe 20 shtete të SHBA.
Disa studime sugjerojnë gjithashtu se sjelljet e njerëzve kanë ndryshuar. “Vende që nuk kanë histori të mëparshme të mbajtjes së maskave në publik adoptuan me shpejtësi përdorimin e tyre, si në Itali (83.4%), Shtetet e Bashkuara (65.8%) dhe Spanjë (63.8%)”, thuhet në një raport nga Royal Society, një nga organet kryesore shkencore në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndryshimet duket se vijnë pjesërisht për shkak të një kuptimi më të mirë se si përhapet Covid-19.
Fillimisht, OBSH tha se maska duhet të mbahet vetëm nga punonjësit e mjekësisë, ose nga njerëzit që kishin simptoma si kollitja dhe teshtitja.
Sidoqoftë, në muajt e fundit, ka prova të shtuara se shumë njerëz me virus nuk kanë simptoma, por ende mund ta transmetojnë atë dhe maska mund ta ndalojë përhapjen e virusit.
OBSH ndryshoi udhëzimet e saj në qershor. Ndërkohë, ka më shumë ndërgjegjësim se rreziku i transmetimit është më i lartë në hapësirat e brendshme pak të ajrosura dhe prova që sugjerojnë se virusi mund të përhapet nga grimca të vogla që qëndrojnë pezull në ajër.
Kjo do të thotë se nëse të gjithë vendosim maska, kjo do të “mbrojë kundër mënyrës më të zakonshme të transmetimit spërklave dhe deri në një farë mase ndoshta, edhe spërklave të aerosolit”, thotë Kim Lavoie, shefe e mjekësisë në Universitetin e Quebec në departamentin e psikologjisë në Montreal.
Lavoie shton se “ka pasur shumë studime” për maskat, përfshirë studime vëzhguese të cilat tregojnë se “vendet që mbajnë më shumë maska duket se kanë shkallë më të ulët infeksioni”.
Për më tepër, një numër shkencëtarësh tani thonë se ekzistojnë “disa prova” që maskat mund të mbrojnë si atë që e mban, ashtu dhe ata përreth.
Ekziston gjithashtu një pranim në rritje që pandemia mund të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe nëse është kështu, maskat mund të shihen si diçka e nevojshme për t’i ndihmuar njerëzit të përshtaten, dhe të zvogëlojnë rreziqet, ndërsa bizneset dhe shkollat rihapen.
“Covid nuk do të shkojë askund. Me siguri do të kemi një vaksinë pas disa vitesh, jo muajsh”, thotë Lavoie, e cila ka udhëhequr Studimin iCARE, një studim ndërkombëtar për sjelljet e lidhura me Covid-19. “Pra, të gjitha këto parime duhet të jenë të integruara dhe të adaptohen në jetën e re normale”.
Por pse vendet kanë qëndrime kaq të ndryshme?
Edhe pasi politikat qeveritare kanë ndryshuar, sërish ka një hendek të madh në mënyrën se si njerëzit janë të gatshëm të mbajnë maskë. Rreth 83% e njerëzve në Itali, dhe 59% në SHBA thonë se gjithmonë do të mbanin një maskë për fytyrën jashtë shtëpisë por vetëm 19% e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar thonë të njëjtën gjë, sipas Covid-19 Behaviour Tracker, një projekt i drejtuar nga Instituti i Inovacionit të Shëndetit Global në Imperial College London me kompaninë e sondazheve YouGov.
“SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë qenë relativisht të ngadalta në përshpejtimin e vendosjes së maskës, ndryshe nga Spanja, Franca dhe Italia”, thotë Sarah P Jones, një studiuese e sjelljes shëndetësore në Imperial College London, dhe një nga krijueset e gjurmuesit.
Ajo thotë se mbajtja e maskave mund të ndryshojë në varësi të asaj se si njerëzit e dobët ndihen për një sëmundje, nëse besojnë se kostot i tejkalojnë përfitimet dhe se sa maska janë të disponueshme.
Në vendet me rritje të theksuar të mbajtjes së maskave, njerëzit mund të kenë përjetuar “rritje të shpejtë të perceptimit të ashpërsisë dhe prekshmërisë së sëmundjes”, “ndryshime të shpejta të politikave kanë imponuar përdorimin e maskave të fytyrës”, dhe një ndjenjë që “shoh shumë njerëz të tjerë duke e bërë, kështu që nuk duhet të jetë problem i madh të mbash maskë”.
Lavoie u pajtua që vendet që “u goditën shpejt dhe fort”, si Italia, mund të kenë adoptuar më kollaj mbajtjen e maskës. Dhe në fund, njerëzit në shtetet që përjetuan epideminë e Sars në 2003 ishin më të gatshëm që të fillonin të mbanin maskë.
“Në Azinë Lindore ka goxha kujtesë të pandemive respiratore, dhe një vetëdije kulturor se maskat janë një ide e mirë”, thotë Jeremy Houard, shkencëtar në Universitetin e San Franciscos dhe një prej themeluesve të Masks4All. Ndryshe nga ata “nuk ka histori të kohëve të fundit të pandemive respiratore në Perëndim”, dhe shumë institucione perëndimore dhe ndërkombëtare kanë injoruar tërësisht shkencëtarët nga Azia Lindore.
Pse disa janë ende mosbesues ndaj maskave?
Shumica e vendeve tani rekomandojnë ose kërkojnë vendosjen e maskës në disa situata.
Sidoqoftë, shumica e njerëzve ende duken shumë më të gatshëm të përdorin dizifektantin e duarve, distancën sociale ose të lajnë duart rregullisht, sesa të vendosin maska për fytyrën, sipas të dhënave nga të dyja ndjekësit e sjelljes Covid-19, dhe iCARES.
Njerëzit mendojnë se larja e duarve dhe distanca sociale janë gjëra që mund t’i kontrollojnë lehtë, thotë Prof Lavoie.
Në të kundërt, “vendosja e maskave është pak më e ndërlikuar – duhet të blesh një maskë, ta vendosësh dhe ato janë të pakëndshme për t’u veshur.”
Gjithashtu edhe udhëzimet e ndryshueshme nga OBSH dhe shumë qeveri mund të ketë shkaktuar vështirësi.
Shumë ekspertë besojnë se qeveritë nuk kishin dëshirë të rekomandonin maskat sepse ata kishin frikë se do të kishte mungesë të pajisjeve PPE për punonjësit e mjekësisë, por duke sugjeruar se ato ishin joefikase në parandalimin e transmetimit të virusit, ata tani tingëllojnë në kundërshtim.
“Mesazhet e përziera, duke mos qenë transparente në lidhje me të dhënat, ose se si qeveria merr vendime të caktuara, mund të minojë besimin” dhe ta bëjë më të vështirë të bindë njerëzit të vendosin maskat tani, thotë Prof Lavoie.
Howard beson se shumë qeveri në Perëndim ishin të ngadalta për të vepruar në vendosjen e maskave derisa ato u prekën keq nga pandemia.
Pavarësisht kësaj, ai mendon se Boris Johnson dhe Donald Trump mund të kenë një ndikim pozitiv tani duke vendosur maska publikisht.
“Modelet e roleve janë absolutisht të vërteta,” thotë ai, dhe qysh kur Trump kishte veshur një maskë, “shumë njerëz që më parë ishin anti-maskë tani thonë se kjo ishte një gjë patriotike për të bërë.”
Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që SHBA po përjeton një valë të re infeksionesh, shton ai.
/Descript.al/