Spitalet greke do të qëndrojnë nën presion edhe për 2-3 javët e ardhshme, deklaroi profesoresha e sëmundjeve infektive, Vana Papaevangelou gjatë konferencës së rregullt mbi pandeminë e koronavirusit në Greqi.
”Pavarësisht se situata është e stabilizuar, me deri 250 shtrime të reja në ditë, spitalet greke do të qëndrojnë nën presion edhe për 2-3 javët e ardhshme”, pranoi Papaevangelou.
”Shumica e Greqisë ka nivele të larta infeksioni, me disa zona që tregojnë një normë aktuale prej 250 personash të infektuar për 100 000 banorë”, vuri në dukje ajo.
”Një total prej 5 500 pacientësh me Covid-19 janë të shtruar në spitale, ndërsa 824 janë në ventilim”, theksoi profesoresha Papaevangelou.
Në të gjithë Greqinë, janë zënë 86% e të gjithë shtretërve të dedikuar për Covid-19 në ICU, me normën që rritet në më shumë se 90% në Athinë dhe Selanik.