Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se disa biznese si dentistët, parukeritë baret, restorantet do të mbeten të mbyllura, pasi janë me risk të lartë.
“E gjithë ekspertiza të gjitha këshillat janë që të ruhemi seriozisht nga hapja e restoranteve, bareve e lokaleve. sepse janë një vatër infeksioni e jashtëzakonshme”, deklaroi Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.
Po shikojmë të gjitha opsionet, u shpreh Kryeministri, teksa ripërsëriti apelin e tij për durim.
Ndërsa lidhur me shoferët e transportit publik, Rama theksoi se shoferët dhe fatorinot e punësuar në kompani të transportit publik me xhiro nën 14 milionë lekë në vit do të marrin pagën e luftës prej 26 mijë lekësh, ndërsa ata të punësuar në kompani që realizojnë një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë do të marrin pagesën fikse prej 40 mijë lekësh.
Sa i takon lëvizjes me automjet privat jo për punë, Kryeministri informoi se do të pilotohet në një fashë të caktuar në zonat që do të ketë më tepër liri lëvizjeje për të parë efektet./a.gjonaj/ /a.g/atsh