Ambasada e Japonisë, përmes projektit “From the people of Japan” i ka dhuruar Bashkisë së Elbasanit disa makineri të cilat do t’i shërbejnë Agjencisë së Shërbimeve Publike në punën e saj të përditshme, sidomos përsa i përket shtimit të hapësirave të gjelbra.

Ambasadori japonez Z. Makoto Ito së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Z. Llatja panë nga afër funksionimin e këtyre pajisjeve në parkun më të ri të Elbasanit, parku i ndërtuar buzë lumit Shkumbin, pas zhvendosjes së mbetjeve urbane.

Bashkia e Elbasanit synon forcimin e mëtejshëm të Agjencisë së Shërbimeve Publike, për të pasur një strukturë më të fortë dhe si rrjedhim më shumë shërbime ndaj qytetarëve.

Kjo ndihmë, ishte shumë e nevojshme, sipas Z. Llatja, pasi ekskavatorët do të përdoren, jo vetëm në projektet për shtimin e hapësirave të gjelbra, por edhe në mirëmbajtjen e rrugëve rurale. Kujtojmë se Bashkia e Elbasanit ka 800 km rrugë rurale për të mirëmbajtur dhe përveç ekipeve të punonjëve, pajisjet janë domosdoshmëri.

Nga ana e tij Ambasadori japonez u shpreh i kënaqur me këtë vizitë në Elbasan, ditë e cila përkon me 3 vjetorin e ardhjes së tij në Shqipëri për herë të parë.

Ito tha se me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit kanë diskutuar edhe për projekte të tjera bashkëpunimi të cilat shpresojnë t’i konkretizojnë shumë shpejt.