Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndarë sot një tjetër lajm të mirë për ardhjen në jetë të trenjakëve nga Shkodra.

Duke falenderuar ekipin mjekësor të Shkodrës, Manastirliu e konsideron një ditë të gëzueshme për ardhjen në jetë  të trenjakeve në Shkodër pas atyre të Hasit. Nga bonusi i bebes kanë përfituar edhe trenjakët 360.000 lekë të reja.

“Ditë e gëzueshme sot, me lindjen e trenjakëve edhe në maternitetin e Shkodrës. Elena, Soleil dhe Kristel kanë lumturuar familjen Lekstakaj në Shkodër dhe gëzojnë shëndet, falë kujdesit të treguar nga stafi mjekësor me dr.Isuf Çela, dr.Amela Troshani, dr.Elsa Kraja dr.Dhurata Kuçi dhe dr.Erisida Velija dhe stafit infermieror në maternitetin e Spitalit Rajonal Shkodër. Familja e re nga Shkodra përfiton menjëherë edhe bonusin e bebes prej 360.000 lekë të reja”, shprehet Manastriliu.

Paraditen e sotme Manastirliu publikoi të tjera pamje nga Materniteti “Koço Gliozheni” ku erdhën në jetë trenjakët nga Hasi.

Ndërkohë bonusi i bebes ka vijuar pa u ndalur në ndihmë  të familjeve të reja dhe familjeve më shumë fëmijë.

Nga viti 2019 kur filloi programi universal i bonusit të bebes, më shumë se 65,000 familje të reja që janë gëzuar me fëmijë, kanë përfituar shpërblimin financiar për çdo të porsalindur, nga 40,000-120,000 lekë.