Ka disa shkencëtarë që vezët i bëjnë fajtore për rritjen e kolesterolit dhe rrezikun e shëndetit kardiovaskular, por ka dhe të tjerë që pretendojnë se këto janë mite dhe se veza në fakt është një zgjedhje e mirë për shëndetin, sidomos për vaktin e mëngjesit.

Megjithatë, një grup studiuesish tani pohojnë se kanë gjetur një alternativë më të mirë dhe më të shëndetshme ndaj vezës për vaktin e parë shumë të rëndësishëm të ditës. Pra, ata sugjerojnë të zëvendësoni vezën tuaj të mëngjesit me një grusht arra, pasi sipas tyre, vetëm 25-28 gramë arra mund të zvogëlojë rrezikun e sulmit në zemër, goditjes në tru dhe vdekjes nga këto shkaqe.

Pavarësisht nëse pretendimet se vezët janë të dëmshme pasi rrisin kolesterolin dhe rrezikun kardiovaskular janë të vërteta, ka shumë prova shkencore që mbështesin se arrat ulin nivelet e kolesterolit, duke i bërë ato një alternativë të mirë dhe të sigurt për mëngjes.

Studiuesit arritën në këtë përfundim si pjesë e një rishikimi të madh shkencor që hetoi se si ushqimet me bazë bimore mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit të tipit 2 dhe vdekjes së hershme, kur ato preferohen mbi ushqimet me bazë shtazore. Rezultatet treguan nuk kishte asnjë përfitim nga zëvendësimi i peshkut dhe ushqimeve të detit me opsione me bazë bimore. Gjithashtu nuk pati asnjë provë që zëvendësimi i produkteve të qumështit mund të reduktonte rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, por zëvendësimi i tyre me arra shoqërohej me një reduktim shumë të vogël të rrezikut të vdekjes së parakohshme.

Sidoqoftë, rishikimi shkencor nxori në pah përsëri përfitimet e provuara të zëvendësimit të mishit të përpunuar me opsione më të shëndetshme. Konkretisht, ekipi hulumtues tregoi se njerëzi që zëvendësuan 50 gram mish të përpunuar (dmth një salsiçe ose dy copa proshutë) me të njëjtën sasi bishtajore, si thjerrëzat, qiqrat dhe fasulet, patën 23% më pak rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare (sulm në zemër, goditje në tru, sëmundje koronare të zemrës) ose vdekje prej saj dhe rrezik më i ulët 27% nëse hanë 28 deri në 50 gram arra në vend të mishit të përpunuar.

Reduktimi më i madh i rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare (36%) u pa te njerëzit që zëvendësuan 50 g mish të përpunuar në ditë me 30 g drithëra të plota, theksoi analiza. Për më tepër, ndërrimi i 50 gramëve të mishit të shpendëve, ekuivalent me rreth 1/3 e gjoksit të pulës, për 30 gram drithëra në ditë u shoqërua me një rrezik 13% më të ulët të diabetit të tipit 2. Së fundi, reduktimi më i madh i rrezikut të vdekjes së parakohshme (21%) u vu re kur mishi i përpunuar u zëvendësua me arrat.

Studiuesja Dr Sabrina Schlesinger nga Qendra Gjermane e Kërkimit të Diabetit komentoi gjetjet e hulumtimit: Shumë njerëz e nisin ditën e tyre me një vezë për mëngjes, por rezultatet e kësaj analize tregojnë se mund të jetë më mirë ta zëvendësoni atë me ushqime me origjinë bimore. Ekzistojnë gjithashtu prova që njerëzit mund të përfitojnë nga zëvendësimi i mishit të shpendëve me ushqime me bazë bimore, ndërsa të dhënat për qumështin mbeten të pamjaftueshme.

Studiuesit nënvizojnë se nuk rekomandojnë përjashtimin e plotë të vezëve nga dieta, thjesht zëvendësimin e pjesshëm të tyre me arrat.

Top Channel