Presidenti amerikan, Joe Biden, do të mirëpresë në Shtëpinë e Bardhë republikanin Donald Trump, pas fitores të tij në zgjedhjet presidenciale amerikane të 5 nëntorit.

Takimi në Zyrën Ovale është paraparë të zhvillohet në orën 11:00, sipas kohës lokale në Uashington (ora 17:00 sipas kohës sonë).

Para takimit me Bidenin, Trump është planifikuar që të takohet me udhëheqësit republikanë në Kongresin amerikan. Partia Republikane do të ketë kontrollin e Senatit dhe ka mundësi që të marrë edhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve

Biden, 81-vjeçar, e ka thirrur Trumpin, 78-vjeçar, pas zgjedhjeve për ta uruar atë për fitoren dhe e ka ftuar në takim në Shtëpinë e Bardhë.

Përderisa demokratët e kanë cilësuar Trumpin si kërcënim për demokracinë, Biden megjithatë është zotuar se do të ketë transferim paqësor të pushtetit dhe do t’iu përmbahet protokolleve të zakonshme për këtë proces.

Megjithatë, kështu nuk kishte ndodhur pas zgjedhjeve presidenciale më 2020, kur Trump refuzoi të pranonte humbjen dhe nuk e kishte ftuar Bidenin për takim në Shtëpinë e Bardhë. Republikani po ashtu nuk kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Bidenit./ rel

Top Channel