TIRANË, 15 korrik /ATSH/ – PA Media Group fiton çmimin e ekselencës të EANA-s për vitin 2020, njoftoi Aleanca e Agjencive Europiane të Lajmeve (EANA).
Për këtë çmim kishin aplikuar edhe agjencia austriake e lajmeve APA, ajo belge, Belga si edhe agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Anëtarët e jurisë për dhënien e këtij çmimi ishin Armela Krasniqi, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe anëtare e bordit të EANA-s, Jiri Majstr, drejtor i përgjithshëm i agjencisë çeke të lajmeve, CTK dhe anëtar i bordit të EANA-s si edhe Alexandru Giboi, sekretari i përgjithshëm i EANA-s.
Për shkak të faktit se Peter Kropsch, presidenti i EANA-s dhe Clive Marshall, anëtar i bordit EANA-s, ishin pjesë e agjencive që aplikuan për çmimin, vendimi i bordit ishte që ata të mos merrnin pjesë në procesin e votimit.
Në emër të PA Media, çmimin e mori kryeredaktori i saj, Peter Clifton.
“”Puna për të shndërruar përmbajtjen e PA filloi me një lëvizje në WordPress, që lejon gazetarët të ndërtojnë histori për platforma të shumta nga një platformë e vetme. Për këtë qëllim, fokusi ynë u kthye në ndërtimin e një platforme të re, më moderne dhe për të shfaqur përmbajtjen tonë, thënë ndryshe PA Explore”, deklaroi Clifton.
”Kemi shpenzuar shumë kohë duke biseduar me klientët tanë të shumtë, duke dëgjuar reagimet e tyre, dhe pastaj duke planifikuar një platformë që e bën sa më të lehtë të jetë e mundur që ata të gjejnë përmbajtjen e PA. Për ta, PA Explore është ende mënyra më e lehtë për të kontrolluar se çfarë përmbajtje e PA është në dispozicion”, shtoi ai.
”Platforma është gjithashtu e optimizuar për celularë dhe tableta dhe është ideale për gazetarët që punojnë në shtëpi larg sistemeve të tyre të news room-eve, diçka që ishte me vlerë të madhe gjatë pandemisë së koronavirusit”, tha Clifton.
Peter Clifton do të ftohet ta paraqesë PA Explore, projektin fitues të çmimit, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të EANA-s./ a.jo
ATSH