ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Nju Jork me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav. Lajçak.

Kryeministri Rama informoi se temë e takimit ishte ecuria e dialogut Kosovë-Serbi.

“Nju Jork, me mikun e mirë Miroslav Lajçak, për ecurinë e dialogut Kosovë – Serbi”, u shpreh Rama, ndërsa publikon në rrjetet sociale foto nga ky takim.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në punimet e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai do t’i adresohet sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB me një fjalë.

Sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara bën bashkë liderë botërorë, aktivistë të shoqërisë civile, protagonistë të sektorit privat dhe të rinj nga e gjithë bota, në samite të ndryshme, debate dhe dialog, në qytetin e Nju-Jorkut, për një periudhë kohe dyjavore.

Ditën e djeshme, Rama zhvilloi një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor, të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe zv/president i Komisionit Europian, Joseph Borrel.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh me drejtues të lartë të OKB, liderë, politikanë dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Po ashtu, Kryeministri do të marrë pjesë në disa aktivitete në kuadër të punimeve të Asamblesë.