Ka gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj në lindje të Evropës dhe pa ta nuk funksionon. Pse?
“Tre vjet më parë, nuk mund ta imagjinoja se do të isha ulur këtu në Varshavë duke pirë birrë polake,” na thotë Shourya Singh, një konsulent për menaxhimin e rrezikut në Ernst & Young, me qendër në kryeqytetin polak. Singh ka lindur në Varanasi në Indinë verilindore. Ai na tregon sesi e gjetën gjuetarët e talenteve përmes portalit LinkedIn. Ai më parë ka punuar për bankën holandeze ING.
Abraham Ingo mund të thotë të njëjtën gjë, ai është 20 vjeç dhe ka lindur në Namibi. Tani ai punon për një bankë të madhe në Varshavë dhe është i kënaqur: “Përvoja ime e punës këtu është e jashtëzakonshme. Kompania ku unë punoj ka një kulturë të jashtëzakonshme pune, bashkëpunëtorë të ndryshëm dhe menaxhim të shkëlqyer. Kjo përvojë në Poloni më ndihmon zhvillimin tim dhe në planin afatgjatë do të më përfitojë kur të kthehem në Namibi”.Përkundër intolerancës ndaj emigrantëve, që dëgjohet në radhë të parë nga politikanët e Evropës Qendrore dhe Lindore, as Evropa Lindore nuk mund të funksionojë pa punëtorë të huaj. Në njëzet vitet e fundit pas anëtarësimit në BE këto vende kanë shënuar një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik. Ndaj ato kanë të njëjtat probleme sikur edhe vendet perëndimore me mungesën e punëtorëve dhe probleme të tjera – një popullsi gjithnjë e më e plakur dhe rënia e popullsisë në moshë pune. Me fjalë të tjera, vetëm të ardhurit mund t’i ndihmojnë, jo vetëm ekspertë financiarë, por edhe ekspertë të industrisë, mjekësisë, sektorit të transportit dhe teknologjisë së informacionit.
Dikush duhet të sigurojë paratë e pensioneve
Demografia nuk mund të mashtrohet: Shërbimi Evropian i Punësimit (EURES) bën të ditur se në të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) nga viti 2010 deri në 2021, do të ketë një ulje të numrit të popullsisë. Përveç kësaj, nga këto vende po largohen ekspertët, kështu që llogaritet se deri në vitin 2050 në këto vende do të ketë 30% më pak njerëz në moshë pune. Në të njëjtën kohë, ka gjithnjë e më shumë të moshuar. Pavarësisht se çfarë është dëgjuar nga partia në pushtet në Poloni, Zyra e Mirëqenies Sociale (ZUS) vlerëson se Polonisë i nevojiten 200 mijë deri në 400 mijë punëtorë të huaj në vit për të ruajtur balancin mes të aftëve për punë dhe pjesës së popullsisë që varet nga mirëqenia – kryesisht pensionistët.
“Kësaj duhet shtuar tranzicioni në digjitalizim dhe zhvillim të qëndrueshëm,” paralajmëron Nadia Kurtieva nga Organizata Leviathan në Poloni. “Dhe këto tranzicione po ndryshojnë gjithashtu tregun e punës, duke krijuar vende të reja pune dhe duke ndikuar në aftësitë e kërkuara në kompani. Që tani ka një mungesë të konsiderueshme të bashkëpunëtorëve me njohuritë e nevojshme.”Në Republikën Çeke fqinje, 15 për qind e popullsisë në moshë pune është me origjinë nga ndonjë vend tjetër – më pak se gjysma prej tyre nga vendet e tjera të BE-së. Ne kemi nevojë edhe për më shumë, thonë ekspertët. Jan Rafaj, kryetar i sindikatës çeke të punëtorëve industrialë, thotë se çdo vit kompanitë në Çeki humbasin 30 mijë deri në 50 mijë punëtorë, sepse ata dalin në pension. “Tregu i brendshëm i punës nuk mund të kompensojë këtë humje, ndaj kërkohen punëtorë të huaj”, thotë ai për DW.
Por në shumë prej këtyre vendeve problem është edhe integrimi i të huajve në shoqërinë vendase. Vështirë se dikush në Filipine ka studiuar polonisht, çekisht apo hungarisht në shkollë. Një indian që pi birrë polake në Varshavë na thotë: “Nuk shoh shumë mangësi profesionale, përveç kur bëhet fjalë për gjuhën. Dhe sigurisht, këtu ndihmon Google Translate”, thotë ai duke qeshur./DW
Top Channel



























