Vendet partnere kryesore tregtare të Shqipërisë në Eurozonë, Italia dhe Greqia, kanë regjistruar tkurrje të fortë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nga efektet negative të pandemisë.
Sipas raportit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, aktiviteti ekonomik në këto vende pritet të vijojë me një rikuperim të lehtë në pjesën e fundit të vitit, si edhe në vitin 2021, çka do të reflektohet edhe në treguesit e ekonomisë vendase.
Raporti vëren se, inflacioni në këto vende luhatet në vlera të vogla 0.1% – 0.3% prej disa muajsh tashmë, duke reflektuar jo vetëm çmimet e ulëta të lëndëve të para, por edhe konsumin e ulët.
Ndërkohë që Banka Qendrore Europiane (BQE) ka forcuar tonin ekspansionist të politikës monetare.
“Parashikimet e ekspertëve të BQE-së shohin një rikthim në vlera pozitive të rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm, mbështetur nga kushte të favorshme të financimit, nga një qëndrim fiskal ekspansionist, si dhe një rigjallërim i aktivitetit global”, thekson BSH-ja.