Ekonomia ka filluar të reagojë pozitivisht përgjatë këtyre muajve të parë të vitit, pas një periudhe të vështirë për shkak të dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë.
Shenjat janë premtuese për ritme më të shpejta edhe për periudhën në vijim dhe janë vënë re në disa drejtime, si te të ardhurat e mbledhura në buxhet, ashtu edhe te volumi i mallrave të eksportuara. Përmirësime ka gjithashtu në importe, dhe çka është më e rëndësishme, në importin e makinerive.
Pas një periudhe pasigurie, ku u vërejt rënie e besimit të biznesit apo rënie e kërkesës së brendshme për konsum, Banka e Shqipërisë raportoi se indeksi i besimit të bizneseve dhe konsumatorit ka përmirësime në shumicën e degëve të ekonomisë.
Nga TVSH në import të ardhurat për 5 muajt e parë të këtij viti rezultojnë 10 miliardë lekë më të larta se në të njëjtën periudhë të 2020-ës. Vetëm stimuli nga kërkesa në rritje për mallra të konsumit të përditshëm është 2 miliardë lekë.
Në tërësinë e vet të gjithë këta tregues mbështesin atë që është projektuar që në fillim të këtij viti që rritja ekonomike në Shqipëri të shkojë në 5%.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bëri të ditur se të ardhurat doganore gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti ishin në nivelin më të lartë që prej vitit 2013, megjithë goditjen që pati ekonomia në një hark kohor prej gati 18 muajsh nga tërmeti katastrofik i 2019-ës dhe për shkak të pandemisë.
Referuar të dhënave, të ardhurat doganore arritën në 67,9 miliardë lekë, nga 50 miliardë lekë që ishin për të njëjtën periudhë të 2013-ës.
Këto të ardhura rezultojnë 1.5 miliardë lekë më të larta sesa planifikimi për periudhën. Edhe në krahasim me 5-mujorin e 2020-ës janë realizuar rreth 13.2 miliardë lekë më shumë.