Qeveria shqiptare hedh një hap të rëndësishëm për mundësinë e votimit për herë të parë, nga emigrantët në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Në fletoren zyrtare tashmë është publikuar vendimi i Këshillit të Ministrave, ku parashikohen të gjitha hapat e regjistrimit të një emigranti shqiptar  nëpërmjet portalit e-albania.

Vendimi synon që nëpërmjet regjistrimit në portalin e-albania, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të përfitojnë shërbimet e gjendjes civile si edhe të drejtën e votës. Shtetasit shqiptarë me banim jashtë territorit aplikojnë përmes formularit tip në portalin e-albania.

Deklaruesi identifikohet në mënyrë të sigurt në portal duke përdorur numrin personal në pasaportë ose letërnjoftimin elektronik, të lëshuara nga Republika e Shqipërisë. Sipas këtij vendimi të qeverisë, deklaruesi plotëson formularin e deklarimit me të dhënat e adresës së saktë në shtetin ku jeton, shoqëruar me dokumente zyrtare, që provojnë gjeneralitetet e shtetasit në fjalë.

Të dhënat më pas verifikohen nga punonjësit e zyrës se gjendjes civile. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjes është duke përgatitur vendimet e duhura me të gjithë modalitet përkatëse se në çfarë forme vota e emigrantëve do të mbërri në Shqipëri. Sikurse edhe metodologjia e numërimit të këtyre votave. Vende të ndryshme në botë për shtetasit e tyre përdorin votën me postë ose votim në përfaqësitë diplomatike.