Në morinë e aktiviteteve të mbajtura për Pavarësinë e Shqipërisë, edhe në qytetin e Elbasanit janë zhvilluar gara në vazhdën e kësaj datë të shënuar. Ka qenë një bashkëpunim i klubit shumësportësh të Elbasanit dhe bashkisë së qytetit me federatat përkatëse të disiplinave të qitjes dhe hendbollit. Aktivitete të kësaj natyre synohen të kthehen në traditë në këtë qytet, edhe me disiplina të tjera sportive, për ta kujtuar ashtu siç duhet këtë datë historike.

QITJE – Fillimisht, për herë të parë në Elbasan, Kombëtaret e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë bërë bashkë për të mbajtur “Kupa Pavarësia” në Qitje, në të cilën morën pjesë 34 sportistë, ku në fund u shpallën edhe fituesit për kategoritë përkatëse. Në pistoletë dolën të parët sportistët e Shqipërisë, Manjola Konini me 553 pikë dhe Henri Rrufa me 556 pikë. Në disiplinën e pushkës e para doli qitësja e Maqedonisë së Veriut Anastasia Moisojska me 623.8 pikë dhe Drilon Ibrahimi u Kosovës me 612.2 pikë. Ky aktivitet u mbajt për herë te parë në qytetin e Elbasanit, teksa prej afro dy dekadash është kthyer i përvitshëm në vendin tonë.
HENDBOLL – Në qytetin e Elbasanit u mbajt gjithashtu “Kupa e Pavarësisë” edhe në sportin e hendbollit, ku morën pjesë dy skuadrat nga Shqipëria si Elbasani dhe Cerriku, si edhe dy ekipet nga Kosova, Deçani dhe Vëllaznimi. Pas ndeshjeve me eleminim, në fund fitues u shpall ekipi kosovar i Deçanit, duke bërë të vetin këtë trofe simbolik.