Pandemia globale ka ndaluar shumë eksperienca udhëtimesh në të gjithë botën. Përfshirë këtu vizitën në qytetet spektakolare të Italisë dhe blerjen e shtëpive apo vilave me çmime shumë të lira. Megjithatë, nisur nga lehtësimi i masave, tani këto vende duhet se po hapen sërish dhe oferta për të blerë shtëpi me 1 euro është rikthyer në treg. Madje marrëveshja duket më e mirë se më parë.

Cinquefrondi, një komunitet në jug të Calabria-s, e quan veten si një “fshat pa Covid” pasi prej kohësh nuk ka persona të infektuar. Ai gjithashtu ndodhet në regjionin më pak të prekur nga virusi vdekjeprurës në Itali. Ky status, që për momentin është shumë i rëndësishëm në botë, mund të jetë pikërisht çfarë i duhet fshatit për të rikthyer vëmendjen tek shtëpitë që shiten vetëm për 1 euro.

Qëllimi i këtyre ofertave, jo vetëm në këtë destinacion, është që të ndalohet shpopullimi. Fenomen ky i nisur nga largimi i të rinjve nga fshati në kërkim të punës dhe studimeve në qytetet e mëdha. Në Cinquefrondi, kryebashkiaku Michele Conia, e sheh këtë nisëm si diçka shumë të rëndësishme. Aq të rëndësishme sa ja ka vënë emrin “Operacioni Bukuria”.

Të gjesh pronarë të rinj për shtëpitë e braktisura që kemi në fshat është çelsi i “Operacionit Bukuria”, të cilin e kemi nisur për të rinovuar pjesët e humbura të vendit tonë”- thotë Conia për CNN. Më pas shton: “Unë jam rritur në Gjermani, ku prindërit e mi kishin emigruar, por u ktheva që të shpëtoj vendin tim. Shumë njerëz janë larguar që këtu gjatë këtyre dekadave, duke lënë pas shtëpi bosh. Nuk mund të dorëzohemi kështu.

Cinquefrondi është i rrethuar nga natyra e bukur e Parkut Nacional “Aspromonte”, nga bregdeti i Jonit dhe Tyrrhenain-it. Fshati gjendet në mes të kodrave dhe dy deteve, madje edhe një lum kalon pranë. Plazhet janë vetëm 15 minuta larg me makinë. Megjithatë qendra urbane e fshatit nuk zhvillohet prej kohësh, me shumë shtëpi që kanë mbetur të vjetra dhe jo të sigurta. Të paktën kështu e përshkruan kryebashkiaku panoramën.

 

Ofertat në këtë qytet për shtëpitë funksionojnë krejt ndyshe nga vendet e tjera të Italisë, që po ashtu ofrojnë çmime shumë të lira. Nësë në qytetet e tjera nisma simbolike e shitjes së shtëpive për 1 euro, kërkon në fakt që të paguash rreth 5 mijë euro në vit për sigurimet, në rast se e lë projektin të papërfunduar ose nuk e shfrytëzon shtëpinë, në Cinquefrondi të kërkojnë vetëm 250 euro në vit. Derisa punimet dhe rinovimi i shtëpisë të ketë mbaruar.

Pronarët e rinj nëse nuk i mbarojnë punimet për një periudhë 3-vjeçare mund të paguajnë një gjobë deri në 20 mijë euro. Qytetet e tjera ndërkohë këtë periudhë e kanë më të shkurtër dhe punimet e ndërhryjet në këto shtëpi duhet t’i mbarosh për 1-2 vite.

Shtëpitë “1-euroshe” janë rreth 40-50 metra katrorë, hapsirë që në fakt të jep avantazh tek punimet. Ato ndodhen në pjesën historike të Cinquefrondi-t dhe disa prej tyre kanë ballkone, ku pamja është sigurisht shumë e bukur. Përveç vendodhjes shumë të lakmuar, Cinquefrondi, që do të thotë literalisht “5 fshatrat”, është edhe atraksion historik. Kjo pasi ka gjurmë qytetërimesh të vjetra në çdo cep. Në theksin e gjuhës që flasin, emrat e rrugëve, ndërtesat e shumë gjëra të tjera.

Për momentin janë në treg rreth 50 shtëpi, por nëse do të ketë kërkesa, kryebashkiaku i fshatit thotë se mund të nxjerrë dhe të tjera. Shtëpi të rinovuara plotësisht gjithashtu janë në treg për t’u shitur.

/News31.al