I mbyllur për një kohë të gjatë, ky vend i vogël në Ballkan ka vuajtur aq shumë sa sot dëshiron të jetojë, shkruan Laurence Depoux për gazetën e njohur franceze ”Femina”.
”Nga larg, është e vërtetë, ajo ndonjëherë duket e ashpër, pak e trishtuar. Një vend i vuajtur, Shqipëria kaloi më shumë se 40 vjet nën një diktaturë të egër, e cila mbolli kthetrat e saj edhe në një peizazh të mbushur me ”kërpudha” betoni, këta bunkerë që supozohej t’i rezistonin një pushtimi… që nuk erdhi kurrë. Nga afër, ajo gëzohet. E verdhë kanarinë, jeshile molle, rozë karameleje… Tirana, kryeqyteti, ka lyer fasadat, terminalet dhe vendkalimet e këmbësorëve.
Dhe atje është edhe deti, ku safiri dhe smeraldi lëpijnë guralecët e bardhë, lumenjtë, malet e gjelbra, liqenet që pasqyrojnë qiellin dhe shpatet e arta…
”Shqipëria do të jetë toka e premtuar e optimizmit”, tha në vitet 1920, Justin Godart, ky politikan francez, emri i të cilit ndeshet shpesh këtu.
Eraldi, udhërrëfyesi ynë, tund me kokë në shenjë pohimi. I lindur në vitin 1990, në mes të destalinizimit, ai nuk e njihte epokën, siç thotë ai, vitet e izolimit total dhe autarkisë. Shumë i vogël gjatë trazirave, ai kujton gjendjen e vështirë që shpërtheu pasi kompanitë financiare falimentuan. Ai ishte atëherë shtatë vjeç.Në kohën e “Xhiros”
“Për ju, ne jemi një vend lindor? pyet i riu. Nuk do ta thoshim këtë për Greqinë apo Malin e Zi, që rrethojnë Shqipërinë, përballë Italisë, 70 kilometra nga “thembra” buzë detit. Thekset e të kënduarit, gjestet dhe aromat i gjejmë në kuzhinë, si ndikime të tjera të trashëguara nga ilirishtja apo helenët. Origjina osmane… Në prag të Europës, cili vend tjetër, i cilësuar si mysliman, përzien aq shumë kisha sa minare, tempuj bektashinj sa kapela ortodokse, ndërkohë që është i mbushur me rite katolike që komunizmi nuk i ka asgjësuar?
Kanuni, një ligj mesjetar i krahasueshëm me hakmarrjet korsikane, vazhdon në male. Kjo është padyshim pjesë e “reputacionit të keq” që butësia fshin me një goditje në kohën e së ashtuquajturës Xhiro, që bashkon të rinj e të moshuar, zonja në të zeza dhe vajza me fustane me temina, në Vlorë, ndalesa jonë e parë buzë detit…
Dolce Vita shqiptare
Për ne, bregdeti jugor fillon këtu, 158 kilometra me makinë nga Tirana, pasi kapërcejmë kodra të rrudhosura, me tufa në rreshta të ngushtë ullinjsh dhe drekë në restorantin ”Te Ruvi”, në një kopsht lulesh në mes të pyllit. . I ngjitur pas shkëmbit, hotel ”Liro” (65 euro për dy persona jashtë sezonit, me mëngjes) do të jetë kampi ynë bazë: një ballkon marramendës mbi Adriatik dhe gjirin tepër urban… Natën, deti i qetë nën një qiell prej kadifeje përqafon kurbën e ndriçuar të skelës… Nuk do të habiteshim as nga shpërthimet e të qeshurave, as lojërat e dominosë në sheshe, as nga të porsamartuarit që e mbyllin dasmën me një not në det. Dhe pastaj është muzika, është kudo. “Shqipëria tani dëshiron të jetojë”, thotë Eraldi.
Një tokë e begatë
Ky kopsht i mrekullueshëm i jep jetë qytetit të Përmetit, ku dy miq, Odeta dhe Eftalia, përjetësojnë recetën e gjyshes për gliko, me medalje që në vitin 2008 nga marka ”Slow Food”. Nga 15 deri në 20 gra punojnë këtu, për rreth 320 euro në muaj, të zëna sot me prerjen e arrave të njoma. Çdo stinë, fshatarët depozitojnë të korrat e tyre, madje edhe lëkurën e shalqinjve. Kërcelli i qershisë ruhet dhe ofrohet për virtytet e tij diuretike. Ka kaq pak punë në fshat dhe pothuajse 15% papunësi në Shqipëri, sa të rinjtë vazhdojnë të zgjedhin mërgimin, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
Ata që mbeten me shpresë, e ndonjëherë përparojnë, si Altini, i cili, e ka kthyer një bunker në një dyqan, ku shet djathin e tij. Të paktën vendi është i freskët, një trashëgimi e keqe e Musolinit – në vitin 1939, Shqipëria ishte nën zgjedhën e Italisë fashiste: “Ushqehu ose vdis…” Nëse të moshuarit e gjenin idenë me shije të keqe, të rinjve u pëlqen rima. “Nature et Nourriture” reklamon edhe fermën Grand Albanik (ferma-albanik.com), një parajsë e vogël për agroturizmin.
Në Shqipëri është gjithmonë kështu, duhet të afrohesh, ta shikosh nga afër./ a.jor.atsh