Kryeministri Edi Rama publikoi sot dokumentin e gjobës prej 162 milionë 634 mijë e 500 lekë të reja ose 1 milionë 366 mijë e 130 USD, për metrat katrorë pa leje në qendër të Tiranës, të cilat para pak ditësh i mori shteti, për interes publik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Rama sqaron se, kjo gjobë ka rënë në duart e një gjykatësi të verbuar, që i ka dhënë kompanisë të drejtë në shkallën e parë.

“Shikojeni edhe datën e vendosjes së kësaj gjobe nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe përmes dokumentit tjetër bashkëngjitur, informohuni se kjo gjobë, ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuar, sa që pa iu dridhur dora i ka dhënë kompanisë të drejtë në shkallën e parë, ndërkohë që ligji është i qartë, sasia e gjobës për metër katror shtesë pa leje përcaktohet me ligj, metrat katrorë shtesë pa leje janë aty”, theksoi Rama.

“Sinqerisht, ju që shani e akuzoni qorrazi këtu, mund të keni një mijë e një arsye për të mos votuar për mua apo për të menduar, se politikanët janë të tërë njësoj, por ama, të mos e shohësh vullnetin e plotë për t’i dhënë një goditje finale këtij fenomeni të shëmtuar dhe të mos e kuptosh, se këtë vullnet mund ta ketë vetëm kush as është i kapur prej parellinjve, as kapet dot me asnjë lloj shume parash, kjo është të tallesh keq me veten në rastin më të mirë ose në rastin më të keq, kjo është të jesh një i korruptuar potencial, që s’e koncepton dot në botë se paraja nuk është gjithçka”, shprehet Rama.

Një ditë më parë Kryeministri Edi Rama publikoi kallëzimin penal që i është çuar prokurorisë së Tiranës, rasti i atyre 4 mijë e 646 metrave katrorë në qendër të Tiranës.

4646 metra katrorë pa leje në Tiranë i kaluan shtetit me kontratë noteriale.