Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti ka treguar se arsyeja e largimit nga lista e PS në Tiranë për të qenë e dyta në atë të Korçës lidhet me faktin e origjinës së saj.

Gjatë intervistës, Gjylameti gjithashtu sqaroi se pozicioni i kandidimit në listë nuk ka të bëjë me arsyen e lëvizjes. “Lëvizja ime ka të bëjë me origjinën time, pasi prindërit e mi janë nga Mokra e Pogradecit”, u shpreh Gjylameti.

“Pothuajse në të gjithë Shqipërinë ka pasur një strategji për të qenë në kufi, për të maksimalizuar fitoren, por edhe për t’i dhënë më shumë mundësi të rinjve”, deklaroi Gjylameti duke iu referuar renditjes së emrave të njohur në PS, si Xhafaj apo Majko.

“Në çdo qark ne do të arrijmë maksimumin dhe do të kemi minimalisht 74 mandate në parlamentin e ardhshëm për të vijuar me elementë të tjerë që janë pjesë e programit të PS. Por më shumë ka të bëjë me vizionin tonë për 2030-ën”, tha ajo.

Duke u ndalur te zona e saj, Pogradeci, Gjylameti tha se, “gjithkush që ka pasur mundësinë për të ardhur në Pogradec ka pasur mundësinë të shohë mrekullinë që na ka falur natyra, por edhe investimet në infrastruktura të ndryshme dhe të gjitha ato që kemi bërë në partneritet me biznesin dhe rritjen e punësimit”.

“Ajo që do të vijojë në mandatin e tretë ka të bëjë me projekte të rëndësishme që do ta rikthejnë Pogradecin në një pikë referimi”, theksoi ajo.

“Do të duhet të vijojmë më tutje për të lidhur qytetin me malësinë e Pogradecit që mund të bëjnë të mundur zhvillimin e bizneseve që mbështesin turizmin. Do të punojmë edhe lidhur me sfidën e uljes së papunësisë. Ajo çfarë kemi bërë në mandatin e dytë është që kemi pasur një vëmendje të shtuar në pjesën makro, në mbështetje të bujqësisë dhe ekonomisë lokale”, tha Gjylameti.