Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit Takis Theodorikakos u tregon 27 ambasadorëve të shteteve të BE në Greqi si dhe të dërguarve të Zvicrës dhe Britanisë, gardhin ende në zgjerim në kufirin me Turqinë pranë lumit Evro, që aktualisht shtrihet në mbi 27 kilometra dhe ndihmon në mbulimin e 10 km të tjerë.

Gjithashtu i informon se autoritetet greke kanë parandaluar vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 260,000 emigrantë të huaj të hynin ilegalisht nga Turqia, ndërsa kanë arrestuar edhe 1,500 trafikantë të qënieve njerëzore.

Në një moment tensioni të vazhdueshëm me Ankaranë ai i ka çuar përsëri një mesazh të zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, që sipas tij pala turke duhet ta marrë menjëherë.

“Vizita jonë dërgon një mesazh shumë të fortë solidariteti në Evropë, mesazh uniteti dhe vendosmërie për të mbrojtur dhe ruajtur kufirin e Greqisë me Turqinë, që është edhe kufiri i Bashkimit Evropian me Turqinë”, tha Takis Theodorikakos, Ministër i Mbrojtjes së Qytetarit.

Gjithashtu ministri grek ka theksuar se Greqia ka filluar të zgjerojë gardhin e lartë prej 5 metrash, në një shtrirje prej 35 kilometrash të tjera ,duke synuar mbulimin e pjesës më të madhe të kufirit tokësor prej 192 kilometrash me Turqinë fqinje.

Athina zyrtare ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Ankaranë që përdor emigrantët si armë presioni ndaj Greqisë dhe BE, duke i inkurajuar ata të kalojnë kufirin. Ndërsa Turqia nga ana e saj akuzon Greqinë për kthimet e dhunshme të emigrantëve, që sipas saj, rrezikojnë jetën e tyre.

Me shqetësimin se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në prag të zgjedhjeve në Turqi mund të inkurajojë një eksod masiv të një pjese të konsiderueshme të 5 milion emigrantëve që mban Turqia, agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex do të shtojë edhe 400 roje kufitare në Greqi, 250 në muajin shkurt, në forcën ekzistuese prej 1,800 trupash që operon në kufijtë lindorë detarë e tokësorë të vendit.

Top Channel