Në Derven, Fushë-Krujë nisi sot puna për ndërtimin e shkollës së re “Kastrioti” dhe kopshtit të integruar si objekt më vete në hapësirën e saj, pas shkatërrimit të 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj vizitoi këtë zonë, ku u shpreh se standardet e përdorura për procesin e rindërtimit do të jenë ato europiane.
Kryeministri u kërkoi përfaqësuesve të kompanisë që po kryen punimet të përshpejtojnë ritmet, në mënyrë që ajo të jetë gati 26 nëntorin e këtij viti, një vit pas tërmetit që e dëmtoi atë. Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur se ditë pas dite kanë filluar të hapen kantieret e ndërtimit të shkollave. Në harkun kohor të 2-3 javëve janë 33 objekte arsimore që nisin nga puna me financimin e buxhetit të shtetit. Të gjitha këto objekte pritet të përmbyllen deri në fund të vitit.
Ministri Ahmetaj tha se paketa e parë e financimit të Komisionit Europian që do të zbatohet nga PNUD parashikon ndërtimin e 22 shkollave dhe është akoorduar fondi prej 15 milionë eurosh. Sipas tij, në procesin e rindërtimit pritet të angazhohen rreth 130 kompani që do të kenë marrë përsipër punë në shkolla infrastrukturë, ndërtimin e njësive individuale dhe komplekseve urbane.