Përmes një postimi, drejtuar qytetarëve të Kosovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se të hënën do të udhëtojë për në Hagë me ftesë të Prokurorisë Speciale.
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën! HTH”, shkroi Thaçi.
Ju kujtojmë se ndaj Thaçit dhe Kadri Veselit u ngritën aktakuza nga Prokuroria e Hagës për krime lufte.
Top Channel