Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Athinë, me ftesë të Këshillit të Shtetit të Greqisë.

Duke uruar mirëseardhjen, kryetarja e Këshillit të Shtetit, Evangelia Nika, pasi bëri një prezantim të Këshillit të Shtetit të Greqisë, nënvizoi se, shkëmbimi i eksperiencave duhet të vijojë, pasi i shërben rritjes profesionale.

Metani vlerësoi mikpritjen dhe bëri një paraqitje të punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe të praktikës së procesit disiplinor në Shqipëri.

Me dëshirën për të përmirësuar bashkëpunimin dypalësh, në shkëmbimin e praktikave më të mira, për hetimet disiplinore, inspektimet dhe çështjet me interes të përbashkët, Metani dhe Nika nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në respekt të interesit të përbashkët për garantimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si dhe duke u mbështetur në faktin se procesi disiplinor dhe inspektimi i sistemit të drejtësisë është një nga mekanizmat balancues, për të siguruar që sjellja e gjyqtarëve të bazohet në parimet e pavarësisë, legjitimitetit, paanësisë, përmes rritjes së përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Memorandumi i bashkëpunimit mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë dhe Këshillit të Shtetit të Greqisë parashikon mes të tjerash, që palët të bashkëpunojnë duke shkëmbyer informacione, praktika dhe përvoja në lidhje me të gjitha aspektet procedurale të kryerjes së një hetimi disiplinor dhe procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve; duke ofruar këshilla mbi praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare, përfshi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në fushën e procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve; të shkëmbejnë eksperienca mbi metodologjinë e kryerjes së inspektimeve dhe standardizimin e procedurave të inspektimit; të zhvillojnë seanca praktike reciproke për punonjësit, duke forcuar njohuritë, përvojën dhe kapacitetet e palëve, nëpërmjet organizimit të vizitave studimore dhe pune, takimeve për çështje me interes të përbashkët ose aktiviteteve të përbashkëta trajnuese; organizimin e seminareve apo konferencave të përbashkëta për çështje të rëndësishme në procedimin disiplinor në terren dhe inspektimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjatë kësaj vizite pune delegacioni shqiptar u njoh nga përfaqësues të Këshillit të Shtetit grek me praktikën e procesit disiplinor, standardet bazë evropiane për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve; organet kompetente dhe procedurat për procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve në Greqi; sanksionet disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe praktika përkatëse e Këshillit të Shtetit.