ATSH/- Një analizë e re, nga të dhënat e studimit të njohur afatgjatë të zemrës, “Studimi i Zemrës në Framingham” ka treguar se edhe humbja e lehtë e dëgjimit në moshën e mesme, mund të shoqërohet me një rrezik dukshëm më të lartë për zhvillimin e demencës në vitet e mëvonshme, sipas revistës shkencore amerikane “JAMA Network Open”.

Studimi, i bazuar në 2 178 të rritur të ndjekur për deri në 15 vjet, tregoi se personat një humbje të lehtë dëgjimi kishin rreth 71% më shumë gjasa të zhvillonin demencë krahasuar me ata me dëgjim normal.

Gjetjet kryesore të studimit

Sipas analizës, edhe një humbje “e lehtë” e dëgjimit lidhet me dëmtime të lëndës së bardhë të trurit dhe ulje të volumit të përgjithshëm të trurit në MRI.

U vu re një rënie e veçantë në funksionet ekzekutive si vëmendja dhe planifikimi, më shumë sesa në kujtesë.

Rreziku ishte më i lartë te personat me variantin gjenetik APOE4, i njohur si faktor rreziku për sëmundjen e Alzheimerit.

Përdorimi i aparateve të dëgjimit u shoqërua me ulje të rrezikut për demencë, duke sugjeruar një efekt mbrojtës të mundshëm.

Analiza bazohet në të dhënat e “Studimit të Zemrës në Framingham”, Masaçusets – një studim i madh epidemiologjik, që u zhvillua në SHBA dhe u koordinua nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Bostonit, në bashkëpunim me institucione kërkimore federale amerikane, përfshirë Instituti Kombëtar i Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut (NHLBI).

Studiuesit theksojnë se humbja e dëgjimit mund të ndikojë në tru përmes rritjes së izolimit social, rritjes së ngarkesës së aftësive njohëse dhe ndryshimeve strukturore në trurin e njeriut me kalimin e kohës.

Autorët e studimit nënvizojnë se kontrolli i rregullt i dëgjimit në moshën e mesme, mund të jetë një ndër ndërhyrjet më të thjeshta dhe më efektive, për të reduktuar rrezikun afatgjatë të demencës, duke e konsideruar dëgjimin si një “tregues të hershëm” të shëndetit të trurit. //a.i/